Mustafa para takimit në Kuvend: S’di a do të vijnë ambasadorët e Quint-it, i ftoi Kurti

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka arritur në objektin e Kuvendit të Kosovës për takimin e paralajmëruar me Lëvizjen Vetëvendosje dhe ambasadorët e Quint-it në Kosovë.

Marketing

Ai ka folur shkurtimisht para mediave ku ka thënë se qëndrimi i LDK-së mbetet i njëjtë, derisa ka shtuar se nuk e di nëse në takim do të jenë të pranishëm ose jo ambasadorët e vendeve të Quint-it.

“Sa na përket neve, ne i kemi dhënë të qarta qëndrimet dje. Vlerësojmë që zgjidhja që kemi ofruar është zgjidhja që funksionon dhe e cila dy palëve ju ofron partneritet të fortë dhe një balancim të pushtetit”.

“Nuk e di a do të vijnë ambasadorët e vendeve të Quint-it në Kosovë, sepse ne nuk i kemi ftuar. I ka ofruar Albin Kurti. Ne do të shkojmë në takim, nëse vijnë ambasadorët e mbajmë”.

Në Kuvend tashmë ka arritur edhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Por, ai nuk është prononcuar për media, njofton Klan Kosova.

Në ndërkohë, nga partia e tij ka folur Besnik Bislimi i cili tha se ambasadorët e vendeve të Quint-it do të jenë të pranishëm në këtë takim.

Gjatë ditës, shtetet e Quint-it kanë dalë me një deklaratë rreth ftesës për takim me përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së.

Në këtë deklaratë të përbashkët ku sqarohet qëndrimi i ambasadave të shteteve të Quint-it thuhet se ata nuk do të ndërmjetësojnë dhe se i inkurajojnë të gjithë akterët politikë në Kosovë që të përqëndrohen në aspiratat e popullit të Kosovës.