Dëshiroj të hap debat publik në lidhje me shkrimin ,,Dështimi i reprizës 2020, të datës 08.02.2020 nga Zeqirija Ibrahimi. Debati vlen për të gjithë intelektualët dhe dashamirët e të vërtetës.

Në shkrimin e tij Zeka thekson: ,,RDK-në e mbajnë në dorë struktura të disa hoxhallarëve, si dhe në këtë lojë të RDK-së përmes lekëve dhe “miqësive” (njësoj si më 2016) arrijnë të aktivizojnë edhe hoxhallarë, haxhinj e batakçinj të cilët në emër të fesë i shërbejnë UDB-së dhe krejt shërbimeve antishqiptare dhe antimuslimane.,,

Duke qenë i vetëdijshëm se në strukturat e RDK-së marrin pjesë fëmijët e axhës së Zekës, z. Suadi djali Jahi efendiut hoxhës së Jahja Pashës si nënkryetar i RDK-së, z. Semiri djali i Muzafer efendiut hoxhës së xhamisë Ballaban si kryetar i Kuvendit të RDK-së e që është vëllau im. Duke e ditur që në celulat e formimit të partisë janë edhe familjarë të hoxhës së respektuar hfz. Qerimit nga fsh. Studeniçan i mirënjohur me vyrtite si hoxhë i drejtë dhe shpirtëpastër në karshiakë, Shkup e më gjërë, Zeka më bënë të kuptoj se i njejti kur thotë se RDK-në e mbajnë disa hoxhallarë të cilët në emër të fesë i shërbejnë UDB-së dhe krejt shërbimeve antishqiptare dhe antimuslimane, fjalën e ka për hoxhallarët e lartëpërmendur dhe shumë figura tjera që nuk dua ti përmend se ata po të përgjigjeshin ty, do të bënin për rahmet e për gazep deri në shkallë që as kafshët nuk afrohen më rreth teje.
Ndërsa kur thotë haxhinj e batakçinj, më bën të kuptoj se flet për të nderuarin haxhi Uzairin nga fsh. Studeniçan veprimtaria e të cilit ka jehonë tek të gjitha partitë dhe liderët partiak edhe shumë intelektual dhe ushtarë që sot mbajnë poste nëpër parti dhe institucione që ai i ka ndihmuar të shkollohen, ndërsa të njëjtit sot heshtin dhe një fjalë te mirë publike nuk e flasin për mirësinë e tij, e halli yt ka mbetur atij të i drejtohet me haxhi batakçinj. Kjo përshtypje më vjen ngase e di se nipi i haxhi Uzairit është kryetar dege i RDK-së në komunën e Studeniçanit.
Duke qenë se hoxhallarët që i përmenda janë shokë të babait tim, unë jam shumë i vetëdijshëm për vlerat që ata i paraqesin si dhe kontributin e tyre fetar e kombëtar. Jo vetëm unë, por edhe Shkupi e Maqedonia, Kosova e të gjitha viset shqiptare. Hoxhallarët që ai thotë janë udbashë, janë persona që sakrifikuan gjithçka nga vetja dhe familja e tyre për formimin e vetëdijes fetare, kombëtare e njerëzore.
Tani dua të dal te Jahja efendiu, axhën e Zekës. Ai u arsimua dhe u pajis me dituri në Siri e u diplomua në Kajro qysh para viteve të 80-ta. Që nga ajo kohë me dinjitet dhe faqebardhë shërbeu në xhaminë e Jahja Pashës, xhami kryesore në Shkup e Maqedoni me katërdhjetë vite punë. I njëjti nga i gjithë populli vlerësohet se ka qenë zëri i të vërtetës, moralit, vlerave hyjnore, njerëzore e kombëtare. Ligjeratat e tij i ndjeknin popullata nga të gjitha viset shqiptare. Nga babai im e kam të ndëgjuar se shumica e hoxhallarëve i drejtohen atij edhe konsultohen për dispozita juridike islame. Të njëjtin e njohin shumë mirë edhe miqtë edhe armiqtë me atributet e lartpërmendura. E njeh edhe shteti edhe pushteti të cilët shpesh kanë tentuar ta rrënojnë, eliminojnë nga xhamia kryesore për shkak të veprimatrisë që ka ushtruar. Thirrjet e tij për arsimim si dhe ngritjen fetare e kombëtare që i ka zhvilluar dhe akoma i zhvillon nuk kanë mundur ti heshtin as miqtë e as armiqtë për shkak se ai është besnik për fjalën që ia ka dhënë Zotit. E vërteta është si një mal para të pavërtetës. Pas të gjithë betejave që i zhvillio me të gjithë dashakqinjët, ata gjetën aletin që të hakmerren. Dhe si gjithmonë, mjeti asnjëherë nuk është dhe nuk mund të jetë faktor, por ai shërben dhe përdoret për aq sa kanë nevojë punëdhënsit e tij.
Zeka në shkrimin e tij të datës18.11.2005 thotë se që në rininë e tij ka ngrënë kafjallin me hoxhën me të cilin në këtë rast as nuk dua të merrem se tanimë është i ndjerë, por në tjetër rast më bën të mendoj të i hulumtoj edhe arkivat për veprimtarinë e tij dhe familjes së tij. Andaj edhe ndoshta qumështi e kafjalli e shpirti i shitur i jep atij guximin që axhën e vet Jahja efendiun, prindin tim, hoxhën Idriz Selamin, hfz Qerimin, haxhi Uzairin dhe shokët dhe familjet e tyre të i shpall si hoxhallarë të cilët në emër të fesë i shërbejnë UDB-së dhe krejt shërbimeve antishqiptare dhe antimuslimane. Një gjë që më bën për tu habitur është se si të afërmit e Jahja efndiut nuk reaguan asnjë në këto akuza e trillime që nuk i duron Toka e as Qielli, por në heshtje ata i pranuan si të atilla. Ky shkrim vjen disa ditë më vonë nga shkrimi i Zekës me qëllim që atyre të u jap hapësirë ta demantojnë këtë mercenarë. Duke e ditur veprimtarinë nëntokësore të këtij grupi që edhe unë më herët i kisha besuar, dhe duke e ditur që këtë çunin e perdorin që nga rinia e hershme, mua më ra në hise të e hapi këtë debat dhe të parashtroj pyetje publike Lubotenit nga vjen hoxha i nderuar, Shkupit e popullatës tonë pyetjen se vallë Jahja efendiu, babai im dhe shokët e tyre a janë hoxhallarë të cilët në emër të fesë i shërbejnë UDB-së dhe krejt shërbimeve antishqiptare dhe antimuslimane ashtu siç thotë Zeka?!
Mua këto trillime tejet më kanë shqetësuar e më bëjnë të mendoj që edhe për këtë punë të hulumtoj arkivat. Nëse nuk është ashtu siç thotë Zeka, ai prindërve tanë, neve dhe familjeve tona na ka borxh shumë të madh.
Ai në shkrimin e tij thirret se e njeh dhe i dinë vlerat e Ataullah Efendi Kurtishit, Fetah efendi Raufit ndërsa nuk e njeh dhe tenton të shkel mbi veprimatrinë sublime e hyjnore të axhës së vet Jahja efendiut. Qumështi e kafjalli, euro e dollari ia kan verbuar sytë moti këtij djali, dhe nuk lë emër e as faktor kombëtar pa iu ndërsyer duke filluar nga Ismail Kadare e Ramush Haradinaj dhe në mënyrë ironike nënvlërson shumë vlera kombëtare është më se e qartë se ky e ka shitur shpirtin që moti. Kur jemi te aletet, desha të theksoj se ky grup mercenarësh apo si i quajti kryetari i PDSH-së Menduh Thaqi ,,grupi i unazave,, në shumë familje ku ka pasur figura kombëtare e fetare kanë gjetur persona të tillë, që i perdorin si mashë brenda familjes për ta nënvlerësuar dhe devalvuar figurën e vërtetë me një figure të krijuar falco të pavetëdijshme por të uritur për para, për poste apo jetë luksoze mbi ftyrën e njeriut të vet që e ka ngritur dhe e ka rritur si fëmiun e vet.
Ky shkrim i Zekës i gëzon shpirtshiturit dhe të gjithë ata që mbi tridhjetë vite jetojnë, hanë e pijnë në kurriz të fesë, kombit, humanizmit.
Në kohën e fundit për shkak të heshtjes së gjatë të njerëzve të ndershëm e të drejtë dhe me një biografi të pasur kombëtare e fetare, këta mercenarë kanë bindur vehten se do formojnë edhe parti politike me të cilën do të arrijnë të zezën ta bëjnë të bardhë me rrena dhe shpifje, ndërsa tradhtinë ta shëndrojnë në patriotizëm. Unë jam i bindur se populli Shqiptar këtyre grupeve dhe individëve ka filluar t`ua heqin maskën. Këta në të ardhmen nuk do të mund të gjejnë as fëmijë të vegjël që ti mashtrojnë e jo më persona të pjekur që sot dijnë të lexojnë dhe dijnë ta hulumtojnë secilën familje deri në shtatë breza se çfarë të mire i kanë sjellur kombit, fesë dhe njerëzimit.
Para disa viteve e pata pyetur babain tim: ,,Pse kaq vite ti dhe shokët tuaj heshtni dhe nuk kyçeni as kund?! Ai më tha. Biro kjo kohë është e dilenxhinjëve, ata bëhen dijetarë te mëdhenjë (alimë), marrin pushtet pa mend, e pasurohen pa punë me pretendim se përkujdesen për të varfur e jetima, ndërsa të varfurit ndërtojnë xhamia,,. Gjithmonë babai më thoshte, qëndroni më largë turbulencave se kjo kohë kalon dhe do të vijë dita kur ata do ta vjellin gjak mashtrimin e tyre.

Po e përfundoj me këtë fjali ,,Ne mund t’i mbyllim llogaritë me të shkuarën, por e shkuara nuk i mbyllë llogaritë me ne. (William Shakespeare)

Muaz Mustafa