Myftinia e Shkupit me mesazh për fillimin e Muajit të Shenjtë të Ramazanit

Të nderuar vëllezër e motra,

Marketing

Fillimisht falenderojmë Allahun Fuqiplotë që po na mundëson të arrijmë edhe këtë Ramazan, ndoshta në një kohë të vështirë për gjithë globin dhe besimtarët në përgjithësi, por edhe për neve si pjesë e pandashme e kësaj bote në veçanti, momente ku po përballemi me pandeminë e virusit COVID-19 dhe pasojat e tij.

Ramazani i sivjetshëm do të jetë pak më ndryshe nga vitet e kaluara, por jemi plotësisht të bindur se me angazhimin tonë edhe kjo do të kalojë me lejen e All-llahut.

Myftinia e Shkupit u është mirënjohës si nëpunësve fetarë poashtu edhe gjithë besimtarëve të këtij nënqielli për nivelin e lartë të vetëdijes dhe përgjegjshmërinë e treguar për shëndetin kolektiv si obligim hyjnor dhe njerëzor.

Nuk është aspak e lehtë, as për ju e as për ne, që xhamitë e bukura të qytetit me traditë fetare – Shkupit, në këtë Ramazan të jenë të mbyllura për ibadete kolektive me xhemat, kjo si obligim fetar për parandalimin e përhapjes eventuale të kësaj sëmundjeje, duke mos harruar se xhamitë vazhdojnë të jenë të hapura për ibadete individuale.

Ne, si Myftini e Shkupit, do të mundohemi që edhe përskaj kësaj gjendjeje, të jemi në shërbimin tuaj fetar me strategjinë dhe programet e përgatitura enkas për këto rrethana, me shpresë që sadopak t’ua zbusim zemrat e thyera dhe t’ua mundësojmë një Ramazan me plot shpirtë dhe ndjenja fetare.

Me bindje, se të gjithë së bashku detyrat tona ndaj Allahut do t’i kryejmë me shumë elan dhe sinqeritet, këtë vit me një mirësi tjetër, më tepër pranë familjeve tona si gjëja më e shtrenjtë për të gjithë ne, me vetëdije të plotë se Allahu xh.sh. i din zemrat tona dhe nuk e humb mundin e askujt.
Me lutje për agjërim të mbarë e të lehtë dhe plot shëndet!
Myftiu i Shkupit
Dr. Qenan ef. Ismaili