Napoli nuk dëshiron t’i ndajë rrugët me Hysajn, i ofron kontratë të re

15:53 | 22 Maj 2021

Marketing

Pritej vetëm fundi i sezonit që Elseid Hysaj të largohej zyrtarisht nga Napoli, por situata për mbrojtësin shkodran ka ndryshuar tërësisht, pasi tashmë presidenti De Laurentiis ka vendosur t’i ofrojë rinovimin.

Futbollisti i kombëtares shqiptare është pjesë e Napolit që prej verës së 2015-tës dhe kontrata i skadon pikërisht në fund të këtij muaji, por deri para pak ditësh nuk kishte marrë asnjë ofertë për rinovim.

Menaxheri i 27-vjeçarit pati deklaruar disa herë se për Hysajn interesohen klube të ndryshme evropiane dhe se në fund të sezonit do të vlerësohen me kujdes të gjitha ofertat, por tani duket se skenari ka ndryshuar.

Paraqitjet e mira të Hysajt në muajt e fundit, ku ka fituar një vend titullari në krahun e majtë të mbrojtjes, kanë bërë që De Laurentiis të reflektojë dhe të telefonojë menaxherin Mario Giuffredi, për t’i bërë të ditur dëshirën e rinovimit.

Lajmin e ka dhënë e përditshmja italiane “Il Mattino”, sipas të cilës tashmë mbrojtësi shkodran dhe menaxheri i tij po marrin në konsideratë uljen në tavolinë me presidentin e Napolit, për të vlerësuar mundësinë e qëndrimit te “të kaltrit”.

Napoli pagoi 5 milionë euro për të marrë kartonin e shqiptarit nga Empoli në verën e 2015-tës dhe në 6 sezone me fanellën e kaltër, mbrojtësi shkodran numëron 223 ndeshje të luajtura në të gjithë garat dhe një gol të shënuar.

Marketing