Naser Osmani flet mbi Referendumin në Maqedoni dhe zhvillimet në Kosovë

Proceset politike në Kosovë, Referendumi në Maqedoni dhe roli i shqiptarëve këtu dhe gjithë ndodhitë që po zhvillohen në Ballkan kanë qenë temë e diskutimit në intervistën e realizuar me një nga deputetët më të zëshëm të parlamentit të Kosovës. Naser Osmani vlerëson se pozita e shqiptarëve në Ballkan nuk ka qenë asnjëherë më e favorshme duke pasur parasysh Shqipërinë në NATO, rrugën e Maqedonisë drejtë anëtarësimit dhe përfaqësimi adekuat i shqiptarëve në pushtetin lokal dhe qendrorë në Mal të Zi.

Marketing

Për momentin politika në vendet Ballkanike e veçanërisht në Kosovë, Maqedoni e Shqipëri ka shumë turbulenca, batica e zbatica të cilat kryesisht ndikojnë negativisht tek qytetarët, si e shihni gjithë këtë fund?

Gjeopolitika është fushë mjaftë komplekse, siç e dini do një analizë të thellë e cila në gjenezë duhet të ketë të dhëna kryesisht historike, nisur nga kjo vendet Ballkanit perëndimor, në veçanti ato shumë etnike, çdo herë janë përballur me te panjohura si pasojë e kërkesave të këtyre etnive për të drejta të barabarta. Bazuar në këtë dhe duke pasur parasysh trendin e marrjes së pushtetit nga parti pro Europiane dhe të hapura ndaj dialogut etnik, besoj dhe shpresoj se turbulencat e tilla në vendet e Ballkanit perëndimor po tani po shkojnë drejt zgjidhjeve në të mirë të qytetarëve të tyre.

Do dalin përfitues në ndonjë rast shqiptarët?

Personalisht mendoj se pozita e shqiptarëve në Ballkan asnjëherë s`ka qenë më e favorshme, dhe kur e them këtë kam parasysh një Shqipëri anëtare të NATO-s dhe me rrugëtim të hapur drejt BE-së, një Kosovë shtet të pavarur dhe me hapa dukshëm të shpejt drejt integrimit Europian, një Maqedoni në të cilën kërkesat e shqiptarëve për të drejta të barabarta çdo herë e më po jetësohen, poashtu, shqiptarët në Mal të Zi kanë përfaqësuesit e tyre në nivel qendror dhe janë faktor shtet-drejtues.

Janë përfolur shumë variante në lidhje me Kosovën dhe ndarjen territoriale, a është e pranueshme për ju si deputet i zgjedhur ndonjë nga këto variante?

Asnjë variant i cili cenon integritetin territorial të vendit nuk është i pranueshëm për mua dhe për faktin se kjo përveç që përbën shkelje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si akti juridik më i lartë vendor, mbi të cilën unë kam dhënë betim si i zgjedhur i popullit, ashtu edhe aktit juridik ndërkombëtar atij të vendimit të GJND-së mbi konfirmimin e shtetësisë, e njëkohësisht do të sjellte në pikëpyetje edhe subjektivitetin shtetëror të njohur tashmë nga 116 shtete dhe organizata të ndryshme ndërkombëtare.

A mendoni se ka zgjidhje kjo problematikë dhe me shkëmbimin e territoreve i jepet fund gjithë kësaj katrahure në Ballkan?

Jemi në fazën akoma deklarative për të mos thënë spekulative dhe asgjë nuk është shpalosur konkretisht se kush çfarë merr e kush çfarë jep!. Përjashtimisht kësaj, shkëmbimi i territoreve nuk paraqet zgjidhje madje mund të ndodh e kundërta duke pas parasysh se edhe në disa shtete të tjera të Ballkanit kanë ende probleme etnike. Sigurisht se zgjidhje ka dhe e njëjta mund të arrihet vetëm me dialog dhe me pranimin e realitetit nga ana e Serbisë.

Sa vështirë është për ju të jeni përfaqësues i popullit në këtë vështirësi politike që mbizotëron në vend?

Është e natyrshme se secila vështirësi me të cilën përballet vendi ndikon tek secili qytetar dhe jo vetëm tek ne si përfaqësues të tyre. Fatmirësisht unë jam deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, parti e vetme me përvojë 30 vjeçare institucionale, vendimet e së cilës janë demokratike dhe skajshmërisht demokratike dhe në të mirë të qytetarëve, dhe pikërisht kjo e lehtëson dukshëm edhe pozitën time gjatë përballjes me këto vështirësi.

Referendumi në Maqedoni pritet të mbahet më 30 shtator, sa mund të ketë ndikim në Kosovë një rezultat negativ i tij?

Dua të shpresoj se referendumi i cili pritet të mbahet me 30 Shtator, nuk do të ketë rezultat negativ. Kalimi i referendumit do të thotë një Maqedoni në BE me që rast edhe shqiptarët e Maqedonisë do të përfitojnë mjaft, dhe kur them këtë kam parasysh parimet mbi të cilat funksionon BE-ja e të cilat garantojnë të drejtat të barabarta për të gjithë qytetarët e saj.

Sipas gjithë kësaj që po ndodhë, a mund të shohim Kosovën së shpejti në zgjedhje të parakohshme (jashtëzakonshme)?

Besoj tashmë jeni të informuar se kjo Qeveri nuk e ka legjitimitetin për të vepruar, kur them këtë kam parasysh mungesën e numrave në Kuvend, e rrjedhimisht mungesë kuorumi, e njëjta po ashtu tashmë ka marr epitetin qeveri e skandaleve të mëdha dhe kjo për pasojë të vendimeve të saj skandaloze. Dalja nga kjo situatë është vetëm përmes zgjedhjeve të parakohshme të cilat më pas do të prodhojnë një qeveri e cila do të ketë legjitimitetin e të vepruarit në të gjitha sferat.

Inkuadrimi i Tiranës zyrtare në këtë lojë do të prishte apo do i kishte rregulluar problemet?

Kosova është shtet i pavarur dhe besoj se vendimet e saj duhet ti marr vetë sikurse që edhe pasojat e tyre do t’i barte vetë, kjo nuk do të thotë se inkuadrimi i Tiranës zyrtare nuk do të kontribuonte për të mirë kur kemi parasysh përvojën e tyre në rrugëtimin drejt BE-së.

Marketing