Nata e Vitit të Ri, 29 persona përfundojnë në Toksikologji

Në Klinikën e Toksikologjisë mbrëmë janë shtruar 29 persona në gjendje të alkoolizuar, prej të cilëve më i riu ishte një 14 vjeçar, ndërsa më i moshuari 63 vjet. Në Qendrën Klinike të Urgjencës janë kontrolluar 105 pacientë.

Marketing

“Për fat të mirë këtë vit nuk ka pasur mbidozim me substanca psikoaktive. Të gjithë pacientët pas qëndrimit disa orësh dhe trajtimit në Klinikë janë lëshuar në shtëpi”, deklaroi sot dr Irina Jurukov nga Klinika e Toksikologjisë.

Te 14 vjeçari, siç tha dr Jurukov është konstatuar helmim i lehtë me alkool i cili te të rinjtë mund të arrihet vetëm me një gotë alkool.

Drejtori i Qendrës Klinike të Urgjencës dr Albert Lleshi deklaroi se gjatë 24 orëve të fundit në Urgjencë janë kontrolluar 105 pacientë prej të cilëve 13 janë pranuar në Klinikat Kirurgjike, gjashtë kanë qenë me lëndime në aksidente trafiku, tre janë lënduar prej mjeteve piroteknike dhe një pacientë është sjellë nga Spitali i Përgjithshëm i Qytetit “8 Shtatori” me lëndime prej ndonjë sendi të fortë.

Duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve dr Lleshi tha se mes pacientëve të lënduar ka prej të gjitha moshave. Ai shtoi se në krahasim me vitin paraprak numri i pacientëve të pranuar është shumë më i vogël.

Për pacientin që është sjellë nga SPQ “8 Shtatori” në Qendrën e Urgjencës rreth orës 18 në gjendje të alkoolizuar, dr Lleshi tha se ka qenë i lënduar me send të fortë gjatë një grindje familjare.