NATO do të ndihmojë Maqedoninë në katastrofat natyrore, Buxhaku: me mjete digjitale do të locohen vendet e fatkeqësive

Në stërvitjet e sotme “Përgjigje gjithëpërfshirëse – Vodno 2018”, u theksua se fatkeqësitë natyrore janë të paparashikueshme dhe prandaj janë të nevojshme stërvitjet paraprake për përballje me këto fenomene.

Marketing

“Stërvitjet janë mënyra më e mirë për të qenë të përgatitur. NATO do të vazhdojë mbështetjen për sigurimin efektiv, transparent dhe përgjigje të bashkuar në ballafaqim me fatkeqësitë natyrore”,- u shpreh komandanti i Gardës Kombëtare të Vermontit, Stiven Grej.

“Bashkëpunimi me gardën e Vermonit është bashkëpunim edhe për gjendjet emergjente të cilën e kishim në dy rajonet dhe për të cilën ne duhet të përgatitemi që në të ardhmen të mos na paraqiten”,- tha zëvendësministri i mbrojtjes, Bekim Maksuti.

Përmes një aparature të digjitalizuar, që shfaq të dhënat hapësinore, institucionet do të locojnë në kohë problemet me katastrofat natyrore.

“Bëhet fjalë për një mjet i cili do të mundësojë komunikim dhe koordinim të shpejtë dhe efikas midis subjekteve të sistemit të menaxhimit të krizave, cilësinë dhe vendimmarrjen e shpejtë, si dhe informimin e plotë dhe transparent të publikut me ndërgjegjësimin paralel dhe kuptimin e rreziqeve”,- tha drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, Agron Buxhaku.

Mjeti dixhital është nga më bashkëkohorët dhe që praktikohet nga shumë shtete, për menaxhim të krizave nga fatkeqësitë natyrore.

Marketing