Ndahen 681 bursa për nxënës, Komisioni përpunon të dhënat e aplikuesve

MASh për vitin shkollor 2018-2019 ndau 681 bursa për nxënësit e shkollave të mesme të cilat u klasifikuan në disa kategori. Çdo kategori nënkupton edhe plotësimin e kushteve të veçanta, vlerëson ministri i arsimit dhe shkencës, Arbër Ademi, i cili bëri të ditur se rezultatet preliminare veç më janë shpallur, ndërsa konkursi ofronte 6 lloje të bursave.

Marketing

“Nëse e marrim parasysh llojin e bursave që ka të bëjë me nxënësit e talentuar, atëherë primar është suksesi i realizuar, pjesëmarrja në gara nacionale, çmimet e fituara në gara kombëtare… Nëse kemi të bëjmë me familjet e rrezikuara sociale, primare janë të hyrat financiare të prindërve apo kujdestarëve. Vlen të theksohet se për nxënësit që vijnë nga familjet e rrezikuara sociale të gjitha bursat apo 400 sa kanë qenë në dispozicion janë dhënë, bursat për personat me nevojat të veçanta nga 100 të parapara 100 janë dhënë, bursat për nxënës që posedojnë talent sportiv nga 100 85 janë fituar, të tjerët nuk i kanë plotësuar kushtet. Bursat për fëmijë pa prindër nga 50 bursistë 9 kanë përfituar bursë dhe nxënësit e shërbimeve hotelerike prej 15 bursave kanë fituar 7”,- deklaroi ministri i arsimit, Arbër Ademi.

Sipas tij, nxënësit të cilët nuk janë të kënaqur nga vendimi i komisionit mund të parashtrojnë ankesë.

“Për përzgjedhjen apo refuzimin e aplikimit, apo mospërzgjedhjes, secilit nxënës do t’i dërgohet në adresën e tij të banimit, me këshillë juridike, që mund të bëjnë ankesë nëse mendojnë se edhe për shkak të mosplotësimit të kushteve eventualisht është bërë ndonjë lëshim, në instancën më të lartë do të vendosim për ankesat eventuale që mund t’i kemi”,- tha ministri i arsimit, Arbër Ademi.

Sipas Ademit, vlera e bursave për nxënësit varion nga 2200 deri në 2970 denarë në muaj. Në rrjedhë e sipër është edhe përpunimi i të dhënave për studentët që kanë aplikuar për bursa.

Po ashtu Ligji për standard studentor është në procedurë parlamentare dhe i njëjti parasheh që të stimulojnë nxënësit e talentuar të regjistrohen në drejtimet e mësimdhënies, me ç’rast parashihet që nga viti i parë studentët e tillë të përfitojnë bursë në vlerë prej 6000 denarësh.

Marketing