Ndërpriten përkohësisht punimet në minierën në Straçincë

Pas protestave të djeshme të banorëve të fshatit Straçincë, punimet e minierës në fshat janë ndërprerë.

Marketing

Por, edhe nëse të njëjtat do të vazhdojnë ditëve në vazhdim banorët thonë se do ta bllokojnë rrugën në mënyrë që të mos mund të kalojnë makineritë. Ajo që i habit banorët është se kanë arritur që ta sigurojnë një dokument në të cilin shihet se kërkesën e parë që Ministria e Ekonomisë e ka bërë ndaj Komunës së Gazibabës, për të filluar kompania gurthyese me punë, ka qenë negative, por vetëm një muaj më vonë ministria përsëri lëshon kërkesë në komunë dhe e njëjta kërkesë pranohet nga ana e komunës. Kjo siç thotë Adnan Ajrullahu, kryetar i këshillit inicues, i bënë ata që të dyshojnë se komuna ka pasur presione nga ana e ministrisë, prandaj edhe e ka ndërruar mendimin për vetëm brenda një muaji.

ADNAN AJRULLAHU, KRYETAR I KËSHILLIT INICUES
“Sot bashkërisht me disa aktivist, zbuluam edhe një dokumentacion ku dyshimet e tona rriten edhe më shumë, ku është vërtetuar se Komuna e Gazibabës vendimin e parë, mendimin e parë e jep negativisht, e refuzon kërkesën për hapjen e kësaj gurore. Mirëpo, është shumë interesant se brenda jë muaji, Ministria e Ekonomisë, bënë përsëri kërkesë, sigurisht me ndonjë prapavijë tjetër dhe brenda muajit komuna e jep mendimin e dytë, jep pëlqim, pa asnjë arsye”.

Banorët gjithashtu kanë arritur të zbulojnë se kompania ndërtuese është Melkam Engineering, ndërsa leja për ndërtim është dhënë nga Sektori për Burime Minerale, pranë Ministrisë së Ekonomisë.

Nga Ministria e Ekonomisë thonë se një vendim të këtillë e kanë marrë pasi janë konsultuar me 7 institucione, të njëjtin vendim e ka miratuar Qeveria e Maqedonisë dhe Ministria e Ekonomisë vetëm ka bërë zbatimin e këtij vendimi. Ndërkaq, në rast të pakënaqësive që shprehin banorët për zhvillimin e mëtejmë të punimeve, zëdhënësi Naim Vrenezi sqaron se ata duhet të drejtohen tek komuna e Gazibabës, të cilët kanë dhënë leje për ndërtim.

Naim Vrenezi, zëdhënës i Ministris së Ekonomisë

“Marrëveshjen për nënshkrimin e koncensionit për eksploatimin e gurit gëlqeror e kemi marrë pas vendimit të Qeverisë, i cili vjen pasi shtatë institucione në vend kanë dhënë pëlqim, pra mendim pozitiv për t’u zbatuar ky aktivitet.Të gjitha pakënaqësitë që mund të rrjedhin nga banorët që janë në afërsi të këtij lokaliteti, mund të inicohen dhe shqyrtohen në suaza të komunës ku gjendet lokaliteti, pra në Komunën Gazibabë dhe kjo komunë e cila ka dhënë mendim pozitiv për këtë veprimtari mund të ngritë iniciativë në Qeveri si koncedent, për të rishqyrtuar këtë vendim”

Nga Komuna e Gazibabës edhe pse të kontaktuar disa herë nga Televizioni Shenja, nuk arritëm të marrim asnjë përgjigje prej tyre.

Ndërkaq, banorët e fshatit Straçincë janë kundër hapjes së minierës, për shkak se distanca nga vendi ku zhvillohen punimet dhe fshatit është më pak se 300 metra vijë ajrore. Kurse, pasojat që ajo shkakton janë të shumta, dëmton rëndë shëndetin e banorëve dhe dëmton të mbjellat e tyre, ekziston rreziku që të ndërpresin burimin e ujit, prej nga furnizohen banorët me ujë, si dhe rreziqe tjera./SHENJA

Marketing