Ka ndërruar jetë më 13 shkurt 2019 në Prishtinë, në moshën 102 vjeçare, albanologu, gjuhëtari e intelektuali, pedagogu dhe veprimtari i palodhshëm në zhvillimet tona shoqërore, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe kryetar i saj në dy mandate, anëtar nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akademik Idriz Ajeti.

“Dijetar e erudit, personalitet shkencor, pa kontributet e të cilit studimet albanologjike në Kosovë e më gjerë nuk do të ishin këto që janë sot, akademik Ajeti ishte dhe mbetet njëra nga figurat më të ndritshme të historisë sonë të re”, thuhet në njoftimin e Akademisë.

Ai ka botuar: Pamje historike e ligjërimit shqip të Gjakovës në fillim të shekullit XIX, (1960), Istorijski razvitak gegijskog govora Arbanasa kod Zadra (1961), Hymje në historinë e gjuhës shqipe (1963), Ortografia e gjuhës shqipe (bashkautor) (1964), Historia e gjuhës shqipe (Morfologjia historike), (1969), Probleme të historisë së gjuhës shqipe, (1971), (zgjodhi e mbarështroi), Studije iz istorije albanskog jezika (1982), Studime gjuhësore në fushë të shqipes I, (1982), II (1985), III, IV (1989), Shqiptarët dhe gjuha e tyre (1994).

Në Prishtinë, Tiranë e gjetiu janë botuar vëllime me studime të zgjedhura të tij. Ka hartuar tekste shkollore për nxënës të shkollave të mesme e studentë të Degës së Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe.

Në vitet 1997-2002 Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës botoi veprën e tij të plotë në pesë vëllime.

Në bibliografinë e tij gjejmë qindra artikuj, studime, kumtesa të mbajtura në Konferenca shkencore, seminare, takime kombëtare e ndërkombëtare, të botuara në revista e periodikë në shqip, por edhe në gjermanisht, frëngjisht apo në gjuhë të tjera.

Me nismën e tij, si shef i Departamentit të Gjuhës Shqipe pas hapjes së Fakultetit në Prishtinë (1960), u nxor revista shkencore “Gjurmime albanologjike” (1962) e më 1974 u organizua Seminari i Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare për të huaj.
Gjatë vitit 1969-1971 ishte drejtor i Institutit Albanologjik, më 1971-73 dekan i Fakultetit Filozofik, në vitet 1973-75 rektor i Universitetit të Prishtinës.
Anëtar i ASHAK u zgjodh me gjeneratën e parë ta akademikëve dhe menjëherë mori titullin akademik, ndërsa në vitin 1979 u zgjodh kryetar i saj deri më 1981. Më 1996 ai do të rizgjidhet kryetar dhe do ta drejtojë Akademinë deri më 1999.

Prania e Idriz Ajetit në jetën shkencore e kulturore si dhe në të gjitha zhvillimet shoqërore ka qenë e dukshme dhe thelbësore. Puna e tij është shtrirë edhe në fushën e të drejtave të njeriut dhe në veprimtarinë shoqërore. Akademik Idriz Ajeti ka qenë Kryetar i Parlamentit të Kosovës në njërën nga periudhat më të vështira të saj si dhe pjesëmarrës i Konferencës së Rambujesë.

Me vdekjen e Akademik Idriz Ajetit Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës ka humbur autoritetin nga më të mëdhenjtë të punës shkencor te ne, profesorin, veprimtarin, njeriun e urtë dhe të dijshëm.

Hollësitë rreth varrimit dhe komemoracionit do të njoftohen gjatë ditës.