Vullnet Palloshi, profesori universitar i Fakultetit të Shkencave të Zbatuara në Universitetin e Tetovës sot ka ndërruar jetë në moshën 68 vjeçare. Familjarët kanë informuar për lajmin duke bërë të ditur se varrimi i tij do të bëhet nesër pasdite në varrezat e qytetit të Tetovës.
Biografia – Vullnet Palloshi u lind në Tetovë, në vitin 1950. Rrjedh nga një familje me tradita qytetare dhe atdhetare, nga prindërit Subije dhe Xheladin Palloshi, pishtarë të arsimit shqip në Maqedoni.

Arsimin fillor dhe të mesëm i kreu në qytetin e tij të lindjen, ndërsa Fakultetin e Ndërtimtarisë, drejtimi i komunikacionit, në Shkup.
Deri në vitin 1991 punoi si drejtor teknik i ndërmarrjes ,,Rrugët” në Prishtinë.

Nga viti 1992 deri më 1998 punoi në Kuvendin komunal të Tetovës, si këshilltar i prefektit të kësaj komune, për çështje komunale-urbanistike.
Në periudhën kohore 1998 deri më 2002 ka qenë drejtor i Fondit Republikan për Rrugët e Maqedonisë, në Shkup.

Nga viti 2002-2006 punoi si konsulent i pavarur profesional.
Në Universitetin ,,Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, më 1989 e morri thirrjen profesionale, specialist i shkencave teknike.
Më 2002 e mbrojti tezën e magjistraturës dhe fitoi gradën shkencore, magjistër i shkencave teknike, ndërsa më 2005 gradën shkencore, doktor i shkencave teknike.

Më 2007 u emërua mësimdhënës i lëndëve profesionale dhe fitoi thirrjen mësimore-shkencore docent i shkencave teknike, pas themelimit të Fakultetit të Shkencave të Zbatuara, ndërsa në vitin 2012 e morri thirrjen profesor i asocuar i lëndëve të inxhinierisë së ndërtimit-infrastrukturë dhe rrugë, në Universitetin e Tetovës, ku punoi në ciklin e parë dhe të dytë të studimeve universitare.

Prof. dr. Vullnet Palloshi ishte një personalitet i shquar ndër shqiptarët në Maqedoni dhe në nivel kombëtar, i cili në fushën e tij profesionale, inxhinierinë e rrugëve dhe infrastrukturën rrugore, ka dhënë kontribut shumë të çmuar, jo vetëm si ekspert i kësaj fushe, por edhe si punonjës shkencor, ligjërues fakulteti i lëndëve nga kjo fushë dhe si udhëheqës i disa institucioneve në nivel shtetëror dhe i asociacioneve profesionale.
Vullnet Palloshi është shqiptari i vetëm në Maqedoni, i cili mban gradën doktor i shkencave dhe thirrjen mësimore-shkencore të docentit në fushën e inxhinierisë së ndërtimeve-rrugëve, ndër të vetmit edhe në Shqipëri dhe Kosovë.