Ndërron jetë Shahindere Bërlajolli-Stafai

Në moshën 73 vjeçe ka ndërruar jetë këngëtarja nga Kosova, Shahindere Bërlajolli-Stafai.

Marketing

Lajmin për vdekjen e këngëtares Bërlajolli-Stafai e ka publikuar djali i saj Astrit Stafai pëmes rrjetit social Facebook.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se vdekja e këngëtares Bërlajolli-Stafai është humbje e madhe për të gjithë.

“Ajo me dekada dha kontribut për pasurimin e thesarit të këngës shqipe dhe është vlerë e madhe për trashëgiminë”, ka shkruar Thaçi në rrjetin social Facebook.

Ministrja në detyrë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, e ka quajtur të trishë lajmin për ndarjen nga jeta të këngëtares Bërlajolli-Stafai, duke e cilësuar si humbje të madhe.

“Shahindere Bërlajolli me zërin e saj unik, i dha muzikës tonë perla të cilat do t’i kujtojmë përherë me nostalgji. Repertoari i saj i pasur gjysmë-shekullor, është vlerë për këngën dhe lirikën shqipe. Me dashuri do t’i kujtojmë përherë këngët e saj origjinale popullore “Në zabel të erdha”, “Miriban”, “Kush ma i pari bani”, “O bylbyl me pika-pika”, “Një lule në Gostivar”, “Gajdexhiu”, “Baresha e dashnume”, “Lules” etj. Me këto këngë u rritëm gjenerata të tëra. Opusi i saj muzikor do të mbesë përherë thesar autokton i muzikës burimore shqiptare”, ka shkruar Dumoshi në Facebook.

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj, lider i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, e ka quajtur të pikëllueshëm lajmin e ndarjes nga jeta të artistës së këngës burimore shqiptare, Shahindere Bërlajolli-Stafai.

“Ajo, bashkë me plejadën e artë të muzikës së viteve ‘70, krijoi identitetin kulturor të Kosovës”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Shahindere Bërlajolli-Stafai debutoi në skenë në vitin 1959, në moshën 13 vjeçare dhe ishte fituese e pesëfishtë e festivalit “Akordet e Kosovës”, ndërkaq që në repertoarin e saj kishte mbi 280 këngë, shumica e të cilave të regjistruara.

Marketing