I nxehti përvëlues dhe moti ekstrem që ka mbërthyer Europën mund t’i bëjnë qendrat historike të kontinentit dhe plazhet e Mesdheut më pak të zhurmshme dhe të frekuentuara në stinët e verës që do të vijnë.

Sipas ekspertëve, temperaturat në rritje do të prekin mënyrën sesi njerëzit planifikojnë udhëtimet e tyre të ëndrrave në destinacionet europiane, ndërsa turistët rishikojnë konceptin e pushimeve verore.

Mishel Rurry, pedagoge në Universitetin shtetëror të Michiganit, që ka kryer një studim mbi pasojat e temperaturave më të larta në turizmin në Europë dhe Karaibe, parashikon se do të ketë ndryshime në agjenda dhe jo rënie të turizmit, ndërsa njerëzit përpiqen të evitojnë motin përvëlues, duke i shtyrë pushimet për në vjeshtë.

Sipas saj, temperaturat në rritje do të prekin edhe profilin demografik të turistëve. Pensionistët dhe familjet me fëmijë të mitur mund të zgjedhin të evitojnë të nxehtin ekstrem, për shkak të shqetësimeve shëndetësore, ndërsa të rinjtë mund të vazhdojnë t’u qëndrojnë besnikë pushimeve në kohë të nxehtë.

Nëse çmimet ulen, kjo mund të motivojë shumëkënd. Në Spanjë, industria e turizmit i ka ndierë pasojat e temperaturave përvëluese. Ishujt Kanarie, një magnet për turistët, kanë shënuar një rënie prej 1.2 milionë turistësh deri më tani. Ishujt presin zakonisht rreth 15 milionë vizitorë çdo vit.

Po ashtu edhe Portugalia. Në anën tjetër, kryeqyteti suedez Stockholm po njeh një rritje të vazhdueshme të numrit të vizitorëve, me verën e këtij viti të ngrohtë dhe me diell, ndryshe nga më parë. Sidoqoftë, pavarësisht kushteve të motit, shumë turistë do të vazhdojnë të vizitojnë destinacionet e tyre të ëndrrave. Njerëzit do të duan gjithnjë të shkojnë për shembull në Paris.