Kuvendi i Republikës së Maqedonisë sot duhet të debatojë për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për burime minerale, të dorëzuara prej 11 deputetëve me orientim të ndryshëm politik.

Propozimi është në rendin e ditës së seancës së 32-të, ndërsa duhet të sillet me procedurë të shkurtuar. Pas tij qëndrojnë Liljana Popovska, Maja Moraçanin, Meri Lazarova, Ivana Tufegxhik, Keti Smilleska, Irena Stefoska, Goran Milevski, Pavle Bogoevski, Sasho Atanasov, Dime Vellkovski dhe Ferid Muhiq.

Asociacioni i Maqedonisë për Miniera (AMM) në korrik të këtij viti përsëri apeloi që të sillen ndryshimet e Ligjit për burime minerale me procedurë të shkurtuar, por paraprakisht të organizohet debat publik me të gjitha palët e involvuara. Paralajmëroi se ndryshimet do të jenë të dëmshme për xehetarinë dhe se janë jologjike dhe jo të aplikueshme në praktikë. Siç tha atëherë kryetari i AMM, Nikollajço Nikollov, ndryshimet janë tendencioze dhe shtyhen për shkak të marrjes së pikave politike. Nikollov akuzoi se është joprofesionale qasja në definimin e ndryshimeve.

Akuzave të tij iu kundërpërgjigj Liljana Popovska, duke i cilësuar si të pavërteta dhe manipulime qëndrimet e dhëna të Nikollov. Nuk është e vërtetë, theksoi, se ndryshimet janë të këqija dhe të pazbatueshme, por përkundrazi, janë të qarta, logjike dhe në drejtim të mbrojtjes së mjedisit jetësor dhe shëndetit të qytetarëve.

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë para seancës së 32-të në rend dite të së cilës i ka edhe dy pika, duhet ta vazhdojë edhe seancën e 58-të.

evn