Ndryshimet Kushtetuese, amendamentet pranohen pjesërisht propozimet nga debatet

Janë pranuar pjesërisht vetëm disa nga sugjerimet e parashtruara në debatin publik për ndryshimet kushtetuese për t’u aplikuar në tekstet finale të propozim-amendamenteve. Përveç ndryshimit të emrit të shtetit, amendament ky i cili nuk ka pësuar ndryshime, propozohet ndryshim i Preambulës ku në vend të “vendimet e KAÇKM-së” përdoren fjalët “vendimet ligjore të cilat u theksuan në Shpalljen e Mbledhjes së parë të KAÇKM-së deri te populli maqedonas për mbledhjen e mbajtur të KAÇKM-së” dhe shtohen fjalët “në të cilat u shpreh vullneti për themelimin e shtetit të pavarur sovran dhe Marrëveshjes kornizë të Ohrit”.

Marketing

Amendamenti i 36 po ashtu ka pësuar ndryshime dhe parashikon që Republika mbron, garanton dhe kujdeset për veçantitë, trashëgiminë historike dhe kulturore të popullit maqedonas. Gjithashtu, Republika kujdes për diasporën maqedonase dhe të kombësive të tjera dhe për avancimin e lidhjeve me atdheun.

Amendamenti XXXIII

Në Kushtetutë, fjala “Republika e Maqedonisë” zëvendësohet me “Republika e Maqedonisë së Veriut” kurse fjala “Maqedoni” zëvendësohet me “Maqedonia e Veriut”.

Amendamenti XXXIV

Në Preambulën e Kushtetutës fshihen fjalët “të cilët jetojnë në kufinjtë e saj”, “vendimet e KAÇKM-së” zëvendësohen me fjalët “vendimet ligjore të cilat u theksuan në Shpalljen e Mbledhjes së parë të KAÇKM-së deri te populli maqedonas për mbledhjen e mbajtur të KAÇKM-së”, pas fjalës “vitit” shtohen fjalët “në të cilat u shpreh vullneti për themelimin e shtetit të pavarur sovran dhe Marrëveshjes kornizë të Ohrit”, kurse fshihen fjalët “vendosën që”.

Amendamenti XXXV

Republika respekton sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë politike të vendeve fqinje.

Amendamenti XXXVI

Republika mbron, garanton dhe kujdeset për veçantitë, trashëgiminë historike dhe kulturore të popullit maqedonas.

Republika i mbron të drejtat dhe interesat e shtetasve të saj të cilët jetojnë ose qëndrojnë në diasporë.

Republika kujdeset për diasporën maqedonase dhe të kombësive të tjera dhe për avancimin e lidhjeve me atdheun.

Rëpublika nuk do të përzihet në të drejtat sovrane të vendeve të tjera dhe punët e tyre të brendshme.

Të pyetur për ndryshimet e propozuara nga opozita shqiptare dhe ekspertët për avancimin e pozitës së shqiptarëve dhe gjuhës shqipe, nga Qeveria përgjigjen:

Në ndryshime janë përfshirë edhe një pjesë e sugjerimeve të cilat i kishte edhe opozita shqiptare. Këto janë ndryshimet finale që janë dërguar në Kuvend kështu që procesi vazhdon më tej në formën që është parashikuar sipas Kushtetutës dhe ligjeve.” – theksoi Mile Boshnjakovski, zëdhënës i Qeverisë

Komisioni për çështja kushtetuese ku do të shqyrtohen amendamentet është caktuar për më 17 dhjetor. Debati në Komision mund të zgjasë tre ditë. Ndërkohë duhet të kalojnë të paktën 30 ditë që nga dita kur deputetët kanë pranuar propozim-amendamentet që të mund të caktohet seancë plenare. Amendamente shtesë mund të parashtrohen vetëm për tekstin e propozim-amendamenteve. Amendamentet për ndryshim të kushtetutës miratohen me 2/3 e votave nga numri i deputetëve kurse vendimi për ndryshim të Preambulës, përveç me 2/3, miratohet edhe me Badenter. Edhe ligji kushtetues sillet me 2/3 e votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve.