Ndryshimet kushtetuese miratohen deri të premten

Shumica parlamentare pret që deri të premten të miratohen ndryshimet kushtetuese. Derisa Kuvendi ka caktuar seancën plenare më 9 janar, dallimet mes opozitës shqiptare dhe pushtetit mbeten të theksuara. Nga ana tjetër, edhe pas lirimit të Sasho Mijallkovit nga paraburgimi, vazhdojnë pakënaqësitë tek grupi i pavarur nga VMRO-DPMNE-ja.

Marketing

Dështimi i ndryshimeve në Kodin Penal, nenin 353 ka bërë që deputetja që mbështeti nismën e ndryshimeve kushtetuese, ish ministre e Kulturës, Elizabeta Kançeska-Mileska të vë në pikëpyetje votën e saj për miratimin e ndryshimeve. Burime nga grupi i 8 deputetëve të përjashtuar nga VMRO-ja bëjnë të ditur se Kançeska-Mileska ka theksuar pakënaqësitë e saj ndaj dështimit të ndryshimeve në Kodin Penal, por që në asnjë situatë nuk është kërcënuar se nuk do të votojë pro ndryshimeve kushtetuese.

Nevojën për ndryshime në pjesën e keqpërdorimit të detyrës zyrtare e theksoi edhe kryeministri Zoran Zaev. Sipas të parit të organit ekzekutiv, ndryshimet në këtë nen nuk nënkuptojnë obstruksione ndaj punës së PSP-së.

Asnjë nga zgjidhjet ligjore të bëra deri më tani dhe nga ato të cilët do të bëhen nuk do të ndikojnë në proceset e PSP-së. Madje as tentimi që u bë në Kuvend për ndryshimin e “ndonjë përfitimi” në “përfitim pronësor” nuk ndikon në asnjë proces të PSP dhe as Prokurorisë Publike sepse në vet nenin 353 thuhet “nuk është në dëm të…”. Lexoni akuzat dhe aktgjykimet dhe do ta vëreni se nuk ndikon”. –theksoi Zoran Zaev, Kryeministër.

Ndryshimet në Kodin Penal, neni 353 prek drejtpërdrejtë ish ministren e Kulturës në Qeverisë e Nikolla Gruevskit, Elizabeta Kançeska-Mileska e cila akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare në rastin “Tender” të PSP-së. Në rast ndryshimi, Kançeska do të lirohej nga ndjekja penale. Jo zyrtarisht priten edhe propozim ndryshime të reja në të cilat do të amnistonin deputet të tjerë nga VMRO-DPMNE-ja, të dyshuar për keqpërdorime zgjedhore dhe financim jo ligjore të kampanjës zgjedhore, në rastin konkret deputeti Ilija Dimovski.

Një ditë para seancës plenare për miratimin e ndryshimeve kushtetuese, opozita shqiptare do të takohet me ekspertët juridik të Qeverisë për t’i harmonizuar qëndrimet rreth dallimeve në çështjen e shtetësisë, preambulës, diasporës dhe zyrtarizimit të gjuhës shqipe. Në rast se nuk harmonizohen qëndrimet, opozita shqiptare ka përkujtuar tashmë disa herë se nuk do të votojë për shtetësi maqedonase, diasporë monoetnike dhe qytetarë të rangut të dytë, siç pretendon opozita.