Pas plot 17 vitesh kur Kushtetuta e Maqedonisë pësoi ndryshimet e para pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, tani sërish pas nënshkrimit të Marrëveshjes se Prespës, e njëjta do të ndryshojë duke futur kështu amendamentet që kanë të bëjnë me ndërrimin e emrit të shtetit. Debati, i cili po zhvillohet menjëherë pas 80 votave të deputetëve “për” në Parlament, është pikërisht ajo nëse do të dorëzohen amendamente edhe për të drejtat e shqiptarëve, shkruan gazeta KOHA.

Si çështje e rëndësishme do të jetë ndryshimi i preambulës dhe emrit të shtetit si shtet i qytetarëve të Maqedonisë pa favorizuar asnjë etni tjetër dhe gjuha shqipe si gjuhë zyrtare, pa 25 përqindëshin e përmendur taksativisht. Denko Maleski, njohës i mirë i çështjeve juridike dhe politike, është i mendimit se e gjithë procedura për hapjen e Kushtetutës nuk duhet të ngarkohet me amendamente tjera përveç atyre që kanë të bëjë Marrëveshjen e Prespës.

“Një kohë të gjatë kishim prezent një moment krize për gjithë shtetin dhe tani kur e tejkaluam këtë krizë, gjegjësisht fazën e parë për hapjen e Kushtetutës, Parlamentin e pret punë edhe më e rendë për finalizimin e ndryshimeve kushtetuese. Mendoj se për etnitetin maqedonas, ndryshimi i emrit paraqet stres, prandaj më së paku është e nevojshme të ngarkohet edhe me amendamente të reja, sidomos kur bëhet fjalë për marrëdhëniet ndëretnike midis maqedonasve dhe shqiptarëve”, thotë për KOHA, Malevski. Kam mirëkuptim, thotë ai, për të gjithë liderët e partive shqiptare, sidomos për popullin shqiptarë në Maqedoni se duan të dorëzojnë amendamente për njohjen e gjuhës shqipe edhe në Kushtetutë, sepse me sa mbaj mend unë, e gjithë proceduara e miratimin të Ligjit për gjuhën shqipe ka përfunduar.

“Pengesë e vetme e di se është firmosja e Ligjit nga presidenti. Dhe, nuk mendoj se është mençuri që serish të kthehet në debat kjo çështje kur maqedonasit dy muajt e fundit kanë qenë nën trysninë e liderëve të shteteve më të fuqishme botërore dhe nga shteti fqinj Greqia për ndryshimin e emrit. Mendoj se nuk është mirë që tani të jenë në trysni edhe nga partitë shqiptare. Frikësohem shumë se pikërisht tani është momenti për finalizimin e Ligjit për gjuhën shqipe, kur kemi sigurimin e shumicës parlamentare, gjegjësisht 2/3 që në të ardhmen mund të çojë vendin përpara në procese që do të luanin rol të rëndësishëm në pajtimin midis etniteteve më të mëdha në Maqedoni, maqedonasve dhe shqiptarëve”, thotë Maleski, duke mos lenë anash dhe mundësinë që edhe sikur të kalojnë në Parlament të gjitha amendamentet për ndryshimin e Kushtetutës, sërish fjalën e fundit ta ketë presidenti i shtetit dhe të mos vendos firmën e tij për ndryshimet kushtetuese. Mersin Maksuti, ekspert i çështjeve juridike, thotë se të drejtë të propozimit të amendamenteve tjera përveç Qeverise kanë dhe deputetët tjerë, por se propozimet e reja duhet fillimisht të pranohen nga vetë Qeveria si propozues i këtyre ndryshimeve kushtetuese, në rastin konkret të hyjnë në tekstin e propozim-amendamenteve dhe të procedohen më tej.

“Kjo është çështje e diskutimit politik me Qeverinë, por logjika e interpretimit juridik thotë që të gjitha propozimet tjera të mundshme duhet të jenë sipas përmbajtjes dhe frymës së Marrëveshjes së Prespës, pasi për këtë çështje u iniciua ndryshimi i Kushtetutës dhe u arrit konsensusi i 2/3 të deputetëve”, thotë për KOHA, Maksuti.

Ndryshimet kushtetuese të iniciuara, sipas Maksutit, për fat të keq nuk kane të bëjnë me të drejtën e përdorimit të gjuhës shqipe, por burojnë nga Marrëveshja e Prespës si çështje e kontestit ndërshtetëror midis Maqedonisë dhe Greqisë. “Për sa i përket të drejtës së përdorimit të gjuhës shqipe, do të dëshiroja që forcat politike aktuale maqedonase dhe shqiptare të gjejnë forcën dhe në një moment të ri politik, ta fusin gjuhën shqipe në Kushtetutë si kategori e garantuar juridike e që do të thotë që të gjitha propozimet tjera të deputetëve, duhet të jenë sipas përmbajtjes dhe frymës së Marrëveshjes së Prespës pasi për këtë çështje u inicua ndryshimi i Kushtetutës dhe u arrit konsensusi i 2/3 të deputeteve”, thotë Makuti. Maksuti madje thotë se Kushtetuta e Maqedonisë nuk parasheh që presidenti t’i nënshkruaj amendamentet kushtetuese me qëllim të hyrjes në fuqi të tyre, sepse shpallja në fuqi e amendamenteve bëhet vetëm me votimin e 2/3 të numrit të përgjithshëm të deputetëve të Parlamentit.

Ndryshe, kundër hapjes së kërkesave shqiptare në ndryshimet që priten të bëhen në Kushtetutë është shprehur edhe Bashkimi Demokratik për Integrim, zyrtarë të së cilës në disa raste janë shprehur se momentalisht, me rëndësi të veçantë është integrimi në NATO. (koha.mk)

Artikulli paraprakMourinho te Real, tre yje bëjnë gati valixhet
Artikulli tjetërUshqimi i tepërt, jo të hidhet por të donohet