Ndryshimet kushtetuese, Thaçi i bindur se rrumbullakohen së shpejti

Vitin 2018, kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi e ka vlerësuar si një vit shumë të vështirë por që dha edhe një shpresë për të ardhmen e vendit. Këto shpresa Thaçi i sheh tek Marrëveshja e Prespës dhe debllokimi i proceseve integruese. Gjatë fjalimit të fundvitit para anëtarëve të PDSH-së, Thaçi u shpreh i bindur se shumë shpejt do të arrihet rrumbullakësimi i ndryshimeve kushtetuese dhe implementimi i Marrëveshjes me Greqinë.

Marketing

“Ne kemi kaluar në Maqedoni një vit shumë të vështirë në vitin 2018-të, si vitet tjera tashmë 30-të, megjithatë ky vit na dha një shpresë të vërtet, marrëveshja e Prespës, definitivisht më duket mua e vendosi Maqedoninë në binaret e vërtet. Gjithçka ishte e bllokuar, gjithçka ishte jo funksionale dhe gjithçka dukej pa perspektivë, por me marrëveshjen e fundit që bëmë me Greqinë gjithçka duket e mundshme, racionale dhe me perspektivë të vërtetë“, deklaroi Thaçi.

Thaçi tha se gatë vitit 2019 bashkë me procesin integrues do të realizohet edhe finalizimi i të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, ndërsa u zotua se si parti nuk do të heqin dorë nga kërkesat dhe platforma e tyre.

“Ne do vazhdojmë me këtë këmbëngulje, se rrugëdalje tjetër nuk ka NATO, BE dhe përfundimisht shqiptarët e Maqedonisë, me të drejta juridike kushtetuese njësoj si të tjerët, ne nuk heqim dorë nga e drejta e vendi marrjes të përbashkët me maqedonasit që nënkupton të drejtën e vendimmarrjes përmes mekanizmit vetos, në parlament dhe pa diskutim edhe ndarjen e drejt të buxhetit shtetit duke parandaluar diskriminimin ekonomik ne aspektin etnik të shqiptarëve që jetojnë këtu”, deklaroi ai.

Gjatë vitit 2019 kreu i PDSH-së tha se do të realizohet edhe ëndrra e shqiptarëve për anëtarësim në NATO dhe nisjen e bisedimeve me Bashkimin Evropian