Ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Ahmeti: Nuk ka kohë, dallimet janë të mëdha

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, nuk beson se para zgjedhjeve mund të arrihet konsensus i gjerë midis partive politike për të ndryshuar Kodin Zgjedhor para zgjedhjeve të 12 prillit. Sipas tij, dallimet janë të mëdha dhe çdo përpjekje në këtë drejtim vetëm do të implikonte situatën.

Marketing

“Për të bërë ndryshime në Kodin Zgjedhor, sigurisht që duhet konsensus më i gjerë politik midis të gjitha partive politike dhe tani koha nuk premton që ne të hyjmë për ndryshim të Kodit Zgjedhor, sepse mund të kemi dallime të mëdha politike dhe vetëm do ta implikojmë situatën dhe çdo implikim nuk është në dobi as të partive dhe as në dobi të vendit”,- tha kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Ahmeti gjithashtu nuk beson në mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve, pasi që bëhet fjalë për marrëveshje konsensuale midis partive politike.

“Unë nuk mendoj se do të ketë ndryshime për datën e organizimit të zgjedhjeve të përgjithshme më 12 prill. Kjo datë është konsensuale e arritur midis të gjitha subjekteve politike në vendin tonë dhe të gjithë bëjnë parapërgatitjet që zgjedhjet të mbahen më 12 prill”,- u shpreh kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Partitë politike u dakorduan që zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbahen më 12 prill të vitit 2020. Ky vendim erdhi pasi që shefat e vendeve anëtare të BE-së nuk arritën konsensus për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Marketing