Deklarata e kryeministrit Zaev për Europën e Lirë, se vendi është i gatshëm edhe për ndryshime kushtetuese nëse nga to varet integrimi në BE, është komentuar gjerësisht nga mediat greke.

Katimerini citon deklaratën e kryeministrit Zaev se IRJM sigurisht do të duhet që të hap çështjen për Kushtetutën e saj, para integrimit të saj në BE, si të gjithë anëtaret e Bashkimit Europian. Televizioni grek “Skaj” në ueb-faqen e tij zyrtare, shkruan se “kryeministri i Shkupit, Zoran Zaev, e ka lënë të hapur mundësinë për rishikim të Kushtetutës së vendit”.

Edhe mediat e tjera kryeartikujt e tyre i filluan me titujt që citonin deklaratën e kryeministrit të Maqedonisë. Sipas korrespodentit të MIA-s në Athinë, në media gjerësisht është potencuar edhe qëndrimi i Zaevit se zgjidhjen do ta përcaktojnë institucionet dhe jo kryeministrat. Por, asnjë media nuk ka shkruar për pjesën kur Zaevi i është përgjigjur negativisht pyetjes nëse ndryshimet në Kushtetutë janë të lidhura me ndryshimin e emrit kushtetues./MTV2