Aktualisht, Shqipëria ka normën e 4-të më të lartë të atyre që janë në moshë pune mbi totalin e popullsisë, ndër vendet e Europës Qendrore dhe Lindore si dhe ndër vendet e Bashkimit Europian.

Normë më të lartë se vendi ynë ka vetëm Maqedonia, Sllovakia dhe Bosnje Hercegovina.

Një studim i publikuar së fundmi nga Banka Qendrore Europiane jep alarmin se situata nuk do të jetë gjithmonë kështu, përkundrazi.

Projeksionet tregojnë se, shumë shpejt, Shqipëria do të ketë normën më të ulët në Europë të moshës aktive për punë, nga 15 deri në 64 vjeç, mbi totalin e popullsisë. Këtë e tregon mjaft mirë grafiku, dhe pika e verdhë që i referohet vitit 2030.

Ata që do të jenë më moshë pune pas këtij viti do të përfaqësojnë vetëm 62% të popullsisë shqiptare, si askush tjetër në kontinentin e vjetër. Madje, mesatarja e Bashkimit Europian projektohet në 67%.

Pra, në vitin 2030 Shqipëria do të kthehet në nivelet e viteve 2000, por për një arsye krejt të kundërt nga ajo e dy dekadave më parë, raporton “scan”.

Asokohe, norma e ulët ishte rrjedhojë e popullsisë shumë të re, me thuajse 30% të popullsisë nën 15 vjeç.

Në 2030 norma e atyre në moshë aktive pune do të bjerë për shkak të plakjes së popullsisë, pra numrin e lartë të atyre përtej 64 viteve jetë mbi supe.

Problemet demografike me të cilat përballet vendi ynë janë të mëdha, dhe shifrat gjatë viteve të fundit kanë qenë vazhdimisht alarmante. Pa politika të mirëfillta në këtë drejtim, e ardhmja projektohet e zymtë.