Në Bllacë ngritet “Muri i Kujtesës”

Vitin e kaluar në prani të shumë zyrtarëve të lartë politikë e institucional të Republikës
së Kosovës dhe të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në zonën ndërkufitare në Bllacë, në pjesën kosovare, u vu gurthemeli i Qendrës Përkujtimore e Eksodit “Bllacë ‘99” dhe u promovua treni me mbishkrimin “Përjetësisht në memorjen shqiptare”, që është simbol tragjedisë së shqiptarëve të Kosovës.

Marketing

“Një ditë emrat tonë mund të harrohen, por kjo qendër do të mbetet pronë e përhershme historike e krejt gjeneratave që vijnë pas nesh”, pat thënë me këtë rast, Dr. Skender Asani, drejtor i ITSHKSH në Shkup, në cilësinë e ideatorit dhe inicuesit të kësaj qendreje, bashkë me Jahja Llukën, kryetar i Shoqatës për Kthimin e Shqiptarëve në Vatrat e Veta, e mbështetur nga të dy qeveritë – ajo e Kosovës dhe e Maqedonisë së Veriut si dhe nga Komuna e Hanit të Elezit, e përfaqësuar nga kryetari Rufki Suma.

Sot në Bllacë, në vendin ku para 21 viteve kishte ndodhur drama më e tmershme e ekzodit, dhe për për ta ruajtur në kujtesë të kaluarën, në Bllace do të ndërtohet një mur, i cili simbolikisht do të quhet “Muri i Kujtimit”. Në të do të gravohet imazhi i Sherife Lutës dhe të bijës Besianës që në kohën e luftës po kalonin në Maqedoni, pasi u dëbuan nga ushtria e policia serbe.

Krahas fotografisë së familjes Luta, në “Murin e Kujtesës” që prej sot do të filloj të ndërtohet, do të gdhenden e dhe fjalët që thanë për refugjatët personalitet e njohura botërore, në mesin e të cilëve – Bil Klinton, Toni Bler, Medlin Olbrajt e Robin Kuk.
“Në këtë mur do të ketë edhe disa të dhëna mbi atë se sa shqiptarë në atë kohë u larguan nga Kosova. Ndërkaq mbi koston e këtij objekti, kjo do të bëhet publike në momentin kur do të përurohet”, tha Jahja Llukën, kryetar i Shoqatës për Kthimin e Shqiptarëve në Vatrat e tyre.

“Muri i Kujtesës”, si një simbol që ngërthen në vete vuajtjet e shumë brezave të shqiptarëve, vjen edhe si ide shoqëruese e disa projekteve të ITSHKSH, të cilat kanë për qëllim institucionalizimin e kujtesës kolektive përmes sakrificës së popullatës.

“Ne si brez, por edhe si shoqëri dhe si studiues duhet të angazhohemi që botës t’ia prezantojmë portretin e vuajtur të viktimës, sepse vetëm në këtë mënyrë ne nderojmë sakrificën sublime për lirinë që sot e gëzojmë. Edhe ky Mur shpreh pikërisht këtë sakrificë, sepse aty është e gdhendur golgota shqiptare, e cila ishte edhe shkak i drejtpërdrejt që të aktivizohet ndërgjegja politike e diplomatike e botës së qytetëruar, duke e shpëtuar një popull të tërë nga kthetrat e gjenocidit serb”, tha Dr. Skender Asani, drejtor i ITSHKSH në Shkup.

Për kryetarin e Hanit të Elezit, Rufki Suma, ky mur do të jetë edhe një pikë referueese për shumë vizitor, por edhe një mësim për gjeneratat e reja, të cilët do të kenë rastin të njihen me një pjesë të kaluarës së popullit tonë. Ai premtoi se hapësira përreth murit do të inkorporohet në një infrastrukturë modern e cila do të ndërtohet në disa faza.

“Muri i Kujtesës”, do të jetë i gjatë 15 metra dhe i lartë 2.7 metra.