Në çarshinë e Shkupit u mbajt dita tradiciinale e Ashures

Dje në Çarshinë e Vjetër të Shkupit,  në organizim të OH “El Hilal”dhe në bashkëpunim me Shoqatën Kulturore  “Ensar” nga Shkupi, u mbajt manifestimi tradicional Dita e Ashures.
Ky eveniment, i cili për të 14-tën herë organizohet me rastin e Vitit hixhri ose ditën e dhjetë të muajit muharrem,  u realizua nën patronatin e Qytetit të Bursës së Republikës së Turqisë dhe  Komunës së Çairit në Shkup. Me mbeshtetjen financiare të miqve nga Bursa u përgatitën 12 kazanë me ashure, ëmbëlsirë tradicionale, e cila me shekuj shpërndahet në trevat tona pikërisht në këtë muaj të shenjtë.
Në programin e organizuar me rastin e kësaj dite, fjalime mbajtën Zahir Bekteshi,  zv.kryetar i Komunës së Çairit, Behixhudin Shehapi, kryetar i “El Hilal”-it si dhe Murat Alkan, atashe për çështje fetare pranë Ambasadës së Turqisë, i cili e bëri edhe duan për këtë  ngjarje të rëndësishme të traditës sonë fetare. Në fund u lexua edhe telegrami i kryetarit të Bursës, Alinur Aktas, i cili për shkaqe objektive nuk mori  pjesë në këtë manifestim.
Në fjalimet e tyre u theksua edhe një here roli i ashures gjatë shekujve si dhe rëndësia e muajit muharem si muaj i bereqetit, solidaritetit, bashkimit dhe miqësisë, vlera këto që reflektohen edhe në llojllojshmërinë e gjërave ushqimore që përdoren  për  përgatitjen e ashures.
Pas leximit të pjesëve nga Kur’ani dhe këndimit të këngëve hyjnore, në Çarshi u nda ashure nga katër kazanë për  pjesëmarrësit dhe kalimtarët e rasti. Ashurja u nda edhe në lagjet tjera të Shkupit, ku aktivistët e “El Hilal”-it dhe “Ensar”-it shpërndanë nga kazanë tjerë.

Marketing