Në dhjetor votohet për shkarkimin e Trump

Dy dëshmitarë të tjerë kanë konfirmuar rolin e tij në hetimet rreth Ukrainës dhe në kërkimin e favoreve për qëllime politike.

Marketing

Ligjvënësit amerikanë kanë mbyllur javën e dytë të seancave dëgjimore për presidentin Donald Trump, dhe pritet të votojnë shkarkimin e tij në dhjetor.

Në dëshminë e tyre para dhomës së ulët të Kongresit, ish-ekspertja e zyrës ovale për Rusinë, Fiona Hill, dhe diplomati Dejvid Holms deklaruan se kishte udhëzuar Ukrainën të hetonte politikisht kompaninë ku punonte djali i rivalit demokrat, Xho Bajdën dhe akuzat se Kievi zyrtar kishte ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

Në këmbim premtoheshin ndihma ushtarake dhe një takim dypalësh me homologun ukrainas.

“Presidenti shpërfilli këshilltarët e lartë dhe ia besoi rolin diplomatik avokatit të tij, Rudi Xhulianit. Ai, nga ana e tij, shpërndante teorinë false se Ukraina, dhe jo Rusia, ndërhyri në zgjedhjet tona presidenciale në vitin 2016. Ky është një trillim i propaganduar nga vetë shërbimet ruse,” deklaroi ish-zyrtarja Hill.

Kërkimin e favoreve për avantazhe politike e konfirmoi edhe diplomati Holms.

Kryedemokratja Nensi Pelozi tha se hetimet për Trump-in nuk kanë përfunduar por rezultati duket.

“Provat janë të qartë se presidenti përdori zyrën e tij për përfitime personale. Dhe kështu vuri në rrezik sigurinë kombëtare, duke cënuar integritetin e shtetit dhe duke shkelur betimin,” deklaroi Pelozi.

Republikanët e kanë krahasuar procesin hetimor të kryetarit të tyre me një cirk të turpshëm, ndërsa janë besimplotë se akuzat për shkarkimin e Trump-it do të hidhen poshtë nga Senati.