Filmimet e reja të kapura nga lart në qytetin Hilo në Hawai tregojnë shkallën e përmbytjeve shkatërruese, pasi Uragani Lane u përplas me ishujt e Paqësorit të premten.

Mijëra njerëz mbetën pa energji pasi rrebeshi solli 35 centimetra shiu nëpër Big Island në vetëm 48 orë. Videoja e filmuar nga ajri mbi qytetin bregdetar të Hilo-s tregon përmbytje të gjera rreth zonave të banuara.

Banorët thuhet se përdorën thasë me rërë për të mbrojtur shtëpitë e tyre nga përmbytjet, një ngjarje që do t’i sjellë një tjetër goditje industrisë fitimprurëse të turizmit në ishull pas shpërthimit të vullkanit Kilauea muajin e kaluar.

Hawaii Star Advertiser njoftoi se Uragani Lane ka hedhur pothuajse 91 cm shi në pjesët e Big Island, duke shkaktuar rrëshqitje të tokës dhe duke penguar kështu përpjekjet e rimëkëmbjes.

Uragani u zvogëlua në një stuhi tropikale në orët e hershme të së shtunës, por autoritetet thanë se ata ende prisnin përmbytje të mëtejshme dhe erëra në pjesë të ishullit. Presidenti i SHBA Donald Trump ka deklaruar më parë gjendjen e jashtëzakonshme për shtetin.