Në poligonin e armatës “Krivollak” pjesëtarë të ushtrisë së Malit të Zi, në bazë të planit për bashkëpunim bilateral të armatave për sivjet, nga sot e deri më 1 shtator do të realizohen trajnime me qitje artilerike, me mbështetjen e nevojshme nga Armata e Republikës së Maqedonisë.

“Armata e Republikës së Maqedonisë, krahas mundësimit të shfrytëzimit të papenguar të kapaciteteve të PA ‘Krivollak’, gjatë realizimit të aktiviteteve me pjesëtarë të saj do të sigurojë ndihmë adekuate profesionale, shoqërim ushtarak policor dhe mbështetje të nevojshme sanitare dhe logjistike”, njoftoi Ministria e Mbrojtjes.

ARM ka bashkëpunim shumë të mirë me ushtrinë e Malit të Zi, e cila është shprehur përmes shumë aktiviteteve, siç janë trajnimet e përbashkëta të pjesëtarëve të së dy armatave në sferën e aviacionit ushtarak, trajnim të forcave speciale, si dhe në arsimin ushtarak me ç’rast kadetë nga Mali i Zi shkollohen në Akademinë ushtarake në Republikën e Maqedonisë “Gjeneral Mihajllo Apostollski”.

“Me realizimin e këtij aktiviteti, PA ‘Krivollak’ edhe njëherë i konfirmon dhe promovon aktivitetet e saj për realizim të llojeve të ndryshme të aktiviteteve stërvitore jo vetëm nga ana e ARM-së por edhe nga forca të armatosura të shteteve të huaja”, njofton Ministria e Mbrojtjes.