Në Kumanovë, sot vazhdon gjykimi për rastin “Almiri”

Sot në ora 12:00, në Gjykatën e Kumanovës do të vazhdojë gjykimi për rastin e njohur në opinion si Almir Aliu, njofton Portalb.mk.

Marketing

Ndryshe, muajin e kaluar, Gjykata e Apelit e ka hedhur poshtë kërkesën e familjes së Almirit për delegim të lëndës nga Gjykata Themelore e Kumanovës në Gjykatën Themelore të Shkupit. Sipas arsyetimit të Apelit, një delegim të tillë nuk e mundëson Ligji mbi Procedurën Penale për arsye se pala mbrojtëse dhe pala akuzuar nuk kanë të drejtë të kërkojnë delegim. Arsyetimi i njëjtë është dhënë edhe në mendimin e Prokurorisë së Lartë.

Rasti Almir Aliu
Në korrik të vitit 2016-të, vogëlushi nga Kumanova Almiri, u shkel me makinë nga Iliq, pasi që paraprakisht babai i vogëlushit dhe ai kishin pasur një zënkë banale në ambulancë.

Fillimisht, Iliq ndiqej për veprën “vrasje me paramendim“, megjithatë e njëjta më pas u rikualifikua nga Prokuroria duke e ndjekur për veprën penale “vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion” nga neni 300 paragrafi 2 në lidhje me nenin 297 paragrafi 1 nga Kodi Penal”.

Për rastin në fjalë ka pasur reagime të ashpra në opinion, duke organizuar protesta masive nga qytetarët të cilët e dënuan aktin e Prokurorisë, për shkak të rikualifikimit të lëndës.

Gjatë gjykimit, pati reagime në lidhje me atë se janë bërë lëshime gjatë procedurës, gjegjësisht janë marrë për dëshmi ekspertizat neuropsikiatrike të ekspertëve me licenca me afate të skaduara. Pos kësaj, edhe pse në kamerat e sigurisë shihet qartë se vëllai i Bobanit, Bojan Iliq, ka qenë i përfshirë në rrahjen me Sedat Aliun, Sami Demirindhe Abdulla Aliun, ai nuk u përfshi në akuzë, gjegjësisht nuk u dënua.

Më 5 prill të vitit 2018, Boban Iliq, u dënua me 6 vjet burg, babai i Almirit, Sedat Aliu me 6 muaj, ndërkaq Sami Demiri dhe Abdullah Aliu me nga 9 muaj burg. Por me rigjykimin, të gjitha këto bien në ujë dhe gjithçka fillon nga e para.

Marketing