Komisioni parlamentar për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve do të mbajë seancë në të cilën duhet të propozohet zgjedhja e drejtorëve të disa institucioneve dhe anëtarëve të komisioneve, në mesin e të cilëve edhe të Agjencisë Operative-Teknike – AOT dhe revizorin kryesor shtetëror.

Edhe pse pika është vendosur në rend dite nuk dihet se a do të dihet sot emri i drejtorit të AOT-së sepse deri dje sipas informacioneve nga ekipet partiake të cilët negocionin, nuk ishte arritur marrëveshje. Zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së Naum Stoilkoski dje në pres-konferencë tha se bisedime ndërmjet ekipeve ka, por se marrëveshje nuk ka dhe se është shumë optimiste që të pritet të dihet emri i drejtori të AOT deri më sot.

“Për momentin ende nuk ka marrëveshje edhe pse bisedimet zgjasin intensivisht ndërmjet grupeve të punës të partive politike. Megjithatë është tejet optimiste të thuhet se deri nesër këto bisedime do të japin fryt”, tha Stoilkoski.

Sipas tij, funksionimi i AOT është tejet me rëndësi për shkak të dyshimit mes të tjerash që edhe për momentin ka spekulime në opinion se përsëri janë keqpërdorur aparatet në institucionet dhe në këtë frymë presim që të arrihet marrëveshje.