Në mesnatë fillon fushata zgjedhore për zgjedhjet e 15 korrikut. Shëndeti i qytetarëve do të jetë prioritar

Në mesnatë fillon fushata zgjedhore për zgjedhjet e 15 korrikut. Shëndeti i qytetarëve do të jetë prioritar në të gjitha aktivitetet parazgjedhore të LSDM-së, kanë thënë nga kjo parti.

Marketing

“Jemi të vetëdijshëm se kjo fushatë do të jetë më ndryshe, por njëkohësisht e dimë se pikërisht kjo fushatë është mundësi për LSDM-në dhe të gjithë politikanët në vend të dëshmojnë kujdes të vërtetë dhe të jenë shembull për të gjithë qytetarët. Në LSDM kemi përpiluar protokolle shëndetësore që do të garantojnë fushatë të sigurt dhe do të mbrojnë shëndetin e qytetarëve. Sipas protokolleve tona, grupimi është i ndaluar, ndërsa të gjitha ngjarjet publike dhe takimet do të jenë me kontroll të plotë dhe më së shumti me 50 njerëz në lokacion publik dhe 30 në hapësirë të mbyllur me distancë të obliguar fizike. Të gjithë të pranishmit në ngjarjet e LSDM-së patjetër të mbajnë maska he distancë prej 2 metrash.”,- tha Kosta Petrov nga LSDM.

Nga ana tjetër, opozitarja VMRO-DPMNE ka prezantuar programin e saj parazgjedhor, të bazuar në katër shtyllat, siç janë: shtet efikas dhe institucione të fuqishme, sektor privat konkurrent, vend i integruar dhe i qëndrueshëm dhe jetë më të mirë për të gjithë qytetarët.

“Programi me cilin do të garojë VMRO-DPMNE përmban më shumë se 1000 projekte. Fokusi kryesor i projektit “Ripërtëritje e Maqedonisë” janë ekonomia, sipërmarrja dhe mbështetja e biznesit, ndërsa qëllimi është i thjeshtë, më shumë para për të gjithë.”,- u shpreh Hristijan Mickoski nga VMRO-DPMNE.

BDI në këto zgjedhje garon me pretendimin për kryeministrin e parë shqiptar. Koalicioni Aleanca për Shqiptarët-Alternativa angazhohet për avancimin e pozitës së shqiptarëve deri në barazi, PDSh pretendon që qeveria të ketë vetëm një zëvendëskryeministër derisa Lëvizja Besa garon në koalicion me LSDM-në.

Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë ia ka dorëzuar Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve protokollet në bazë të të cilave do të zhvillohen zgjedhjet e 15 korrikut, ku parashihen masa të veçanta mbrojtjeje.

Nga ana tjetër, KSHZ-ja së shpejti do të duhet të formojë edhe këshillat specialë zgjedhorë të cilët do të duhet të realizojnë votimin e personave në izolim.

Protokolli shëndetësor për zgjedhjet parasheh që anëtarët e këshillave specialë zgjedhorë, të përbërë nga personeli zgjedhor, do të mbajnë mantel për një përdorim, maska dhe doreza. Personi në izolim ose i infektuari duhet të mbajë maskë dhe të dezinfektojë duart para dhe pas votimit

. Kutitë e votimit nuk do të dezinfektohet pas secilit votim. Protokolli parashikon edhe një sërë masash të tjera të detyrueshme të cilët kanë qenë të njohura edhe më herët. I gjithë procesi do të zhvillohet me maska, doreza, dezinfektues dhe distancë prej 1 e gjysmë deri 2 metrash. KSHZ-ja do ta shndërrojë protokollin në akte nënligjore.

Ndërkohë, me dekret, Qeveria rregulloi edhe pjesën e reklamimit politik. Gjashtë minutshi i përcaktuar për reklamimin e opozitës tani do të ndahet mes VMRO-DPMNE-së dhe Besës.

Kjo hedh poshtë vendimin e Agjencisë së mediave që gjashtë minutshi t’i takojë vetëm VMRO-së. Nga 14 minuta për një orë reale për program të paguar politik, 6 u takojnë dy partive në pushtet, 6 dy partive në opozitë dhe 2 minuta janë për partitë e tjera.