Në Moldavi luhet për të “djegur” talentet, sytë edhe te kontrata e Edi Reja-s

Kombëtarja shqiptare e futbollit do të luajë sot në oën 20:45 ndeshjen e radhës kualifikuese ndaj Moldavisë. Humbja ndaj Turqisë në minutat e fundit të takimit, zbehu entuziazmin e një kualifikimi të mundshëm. Tanimë objektivi primar është vendi i tretë dhe organizimi i ekipit për kualifikueset pasardhëse të Botërorit.

Marketing

Në kampin kuqezi duhet të marrë zgjidhje edhe një tjetër “problem”. Talentet e reja të afruara nga Edi Reja, duhet të aktivizohen qoftë edhe një minutë për të mos pasur mundësi zgjedhje të ndonjë përfaqësueseje tjetër. Në një farë mënyre duhet të “digjen”. Bëhet fjalë për Marash Kumbullën, lojtarin 19 vjeçar që aktivizohet titullar me Veronën në Serinë A. Qendërmbrojtësi ka fituar një vend në klubin veronez, duke ngjallur interes edhe të kombëtares italiane. Megjithëse Kumbulla e ka bërë të qartë se zemra e tij rreh kuqezi, stafi duhet të jetë i qetë në këtë drejtim. E njëjta situatë është me Taulant Seferi-n dhe Lindon Selahi-n, që pritet t’u jepen minuta në këmbë për t’i pasur në vazhdimësi.

Një motiv më shumë për fitore ndaj Moldavisë është edhe kontrata e trajnerit Reja. 74 vjeçarit i skadon afati në nëntor, me palët që do ulen për të bërë bilancin e punës së tij. Një vend i tretë i mundshëm dhe paraqitjet e mira në fushë, do të bënin që Reja të ishte ende në timonin kuqezi. Tekniku italian e bëri të qartë se ka dëshirë të vazhdojë të drejtojë këtë grup, që sipas tij premton shumë.

Marketing