Në prag të Brexit, britanikët po aplikojnë me të madhe për pasaporta suedeze

Numri i britanikëve që po aplikojnë për pasaportë të Suedisë është dyfishuar këtë vit, pas frikës për një Brexit pa një marrëveshje, konfirmojnë zyrtarët e emigracionit.

Marketing

Agjencia e Migracionit në Suedi ka përshkruar tërheqjen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian si një situatë të jashtëzakonshme, dhe në ndërkohë ka pranuar aplikime të shumta nga qytetarët britanikë të cilët janë të merakosur.
Më shumë se 1300 britanikë tashmë kanë aplikuar për pasaportë suedeze në tre muajt e parë të vitit 2019, krahasuar me 2000 sa ishin në total gjatë gjithë vitit të kaluar.

Nëse trendi vazhdon, ky numër pritet të arrijë shifrën e 4000 aplikimeve deri në fund të vitit, shkruan Express UK.
Zëdhënësja e Agjencisë së Migracionit në Suedi, Lisa Danling, tha kështu për media: “Brexiti është një situatë e jashtëzakonshme, dhe Agjencia po mundohet të prioritizojë çështjet rreth shtetësisë britanike”.

Danling insistoi se aplikantët të cilët janë të kualifikuar janë top prioritet, gjithsesi ajo paralajmëroi se disa nga aplikimet nuk po mund t’i plotësojnë kushtet që kërkohen.
Në mënyrë që të bëhen shtetas suedezë, aplikantët duhet të kenë jetuar në Suedi për pesë vjet. Gjithsesi, ata që janë të martuar, apo bashkëjetojnë me një shtetas suedez, mund të aplikojnë pas tre viteve, përcjell Gazeta Express.
Në Suedi, sipas statistikave të fundit, jetojnë 27,685 qytetarë britanikë, me kryeqytetin Stokholm si top destinacion i britanikëve – me 5.278 qytetarë që jetojnë aty.

Marketing