Në prag të ndeshjes Maqedoni-Kosovë: Tifozeria sportive teston sigurinë

Para organizimit të zgjedhjeve të 12 prillit institucionet e Maqedonisë së Veriut, kryesisht organet e rendit në krye me Ministrinë e Punëve të Brendshme, më 26 mars të këtij viti do të sfidohen me organizimin e ndeshjes futbollistike mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, shkruan gazeta KOHA. Ndonëse policia e vendit deri më tash është ballafaquar me situata të shumta të kësaj natyre, ajo në disa raste është dëshmuar si efektive, në disa të tjera ka dështuar. Vitin e kaluar organet e rendit u ballafaquan me mirëmbajtjen e rendit dhe qetësisë publike të një ndeshje ndërkombëtare të futbollit, me ç’rast mosvlerësimi i duhur i rrezikshmërisë shkaktoi përleshje të shumta në qendër të Shkupit. Pavarësisht se zënkat ishin mes tifozëve polak, njësitë e policisë u kapën në befasi nga veprimet e tyre.
Nga ana tjetër në vitin 2017 në Shkup, u zhvillua Super Kupa e Evropës, mes fituesit të Ligës së Kampionëve, Real Madridit dhe fituesit të Europa Ligës, Mançester Junajtedit. Kjo ndeshje futbollistike e cila shkaktoi interes të jashtëzakonshëm si në vend, ashtu edhe jashtë tij nga ana e MPB-së, u organizuan deri në detajin më të vogël. Ndarja e qytetit në fan-zona, angazhimi i mbi 2600 pjesëtarëve të policisë dhe krijimi i zinxhirit mbrojtës deri te stadiumi, ishin disa prej masave që u ndërmorën nga organet e rendit, e që rezultuan me sukses në ruajtjen e sigurisë së tifozëve dhe publikut në përgjithësi.

Marketing

NUK DIHET NIVELI I SIGURISË QË DO TË ZBATOHET NË KËTË NDESHJE

Një atmosferë e ngjashme, ndoshta edhe më e madhe vendin tonë pritet ta përfshi në fund të marsit. Gjysmëfinalja e Ligës së Kombeve mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, është arritja më e madhe sportive që futbolli vendas e ka përjetuar. Por, meqë nga ana tjetër kundërshtar është ekipi i Kosovës, atmosfera dukshëm pritet të jetë më e zjarrtë me ardhjen e rreth 3 mijë tifozëve kosovar, duke mos llogaritur numrin e shqiptarëve nga vendi të cilët do të shprehin interes për të parë nga afër këtë ndeshje.
Ministria e Punëve të Brendshme, për gazetën KOHA, njofton se ka filluar me përgatitjet për ndeshjen e radhës ndërkombëtare në futboll me Maqedonisë së Veriu dhe Kosovës. Megjithatë, nga atje nuk japin sqarime për nivelin e sigurisë që do të zbatohet në këtë ndeshje, aq më pak nuk tregojnë se vallë ky organizim do të jetë i ngjashëm me atë të Super Kupës.

“Në pajtim me rregullativën ligjore vendase dhe standardet dhe rregullat e UEFA-së, në vazhdimësi po zhvillohen negociata dhe takime pune mes përfaqësuesve të MPB-së dhe përfaqësueseve të Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, ku planifikohen masat dhe aktivitet e duhura lidhur me organizimin e kësaj ndeshjeje. Në bazë të Marrëveshjes me Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, për bashkëpunim policor, nga viti 2010 do të zhvillohet komunikim dhe koordinim mes palëve të prekura, përfshi edhe nevojën e shkëmbimit të informacioneve. Krahas kësaj me 19 dhjetor të vitit të kaluar nga ana e drejtorëve të policive të të dy shteteve u nënshkrua Protokoll nga sfera e sigurimit të ngjarjeve më të mëdha publike me qëllim parandalimin dhe shkatërrimin e rrezikut për rendin dhe qetësinë publike gjatë zhvillimit të të njëjtës”, thonë nga MPB.

Standardet e UEFA-s, parashohin që nga kapaciteti i përgjithshëm i stadiumit ekipit mysafir i takojnë nga pesë deri në dhjetë për qind të biletave. Në këtë rast stadiumi i qytetit në Shkup, është me kapacitet prej më tepër se 32 mijë ulëse.

“SHVERCERAT” NUK E MBËSHTESIN KOSOVËN, “BALLISTËT” ENDE S’KANË VENDOSUR
Grupi i tifozëve “Shvercerat Shkup”, në mënyrë të organizuar nuk do të merr pjesë në ndeshjen futbollistike mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës. Përfaqësuesi i këtij grupi Jusuf Ramadani, për gazetën KOHA, deklaroi se ata si grup përgjithmonë do t’i qëndrojnë besnik kombëtares së Shqipërisë. “Ne si tifo grup në mënyrë të organizuar nuk do ta përcjellim ndeshjen e futbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës. Individualisht çdo anëtar i jonë është i lirë të veproj. Qëndrimet tona janë publikisht të njohura. Përpos kombëtares Shqiptare dhe ngjyrave kuq e zi, ne nuk mbështesim asnjë reprezentacion tjetër. Ekipit të Kosovës i dëshirojmë suksese dhe kualifikim në Kampionatin Evropian”, tha Ramadani. Nga ana tjetër tifo grupi “Ballistët” nga Tetova, kanë theksuar se ende nuk kanë vendosur se vallë do të organizohen apo jo, për ndeshjen mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës. Ndërkohë, nuk dihet se a do të ketë organizim të tifozëve shqiptar nga Kumanova, Gostivari, Dibra e qytetet tjera shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

Marketing