Ende nuk dihet se a do t’i falë presidenti Gjorge Ivanov të dënuarit për “27 prillin”, të cilët deri te kabineti i tij kanë dorëzuar kërkesa për falje. Nga “Vila Vodno” nuk theksojnë se cilët persona të dënuar kanë kërkuar që të falen dhe se si do të veprojnë.

Në pritje të veprimit të Ivanovit, kryeministri Zoran Zaev dje përsëriti se nuk pret që presidenti i shtetit do t’i falë personat e dënuar për rastin e “27 prillit”, sepse nuk ekziston mundësi e tillë në ligj, por edhe se veprime të tilla janë të ndaluara gjatë fushatës zgjedhore.

Është e qartë si dita. Neni 11 i Ligjit për amnisti nuk ekziston, ai është shfuqizuar dhe nuk mund të veprohet sipas tij. Procedurat udhëhiqen përmes Ministrisë së Drejtësisë dhe ato mund të arrijnë deri te presidenti i RMV-së, por nuk mund të udhëhiqen gjatë zgjedhjeve. Ato janë veprime të ndaluara, ndikojnë në procesin zgjedhor sepse ndikojnë në vetë votuesit. Mund të udhëhiqen pasi të përfundojnë zgjedhjet presidenciale. Ato përfundojnë më 5 maj, përfundimin zyrtar e shpall KSHZ-ja sipas afateve për ankesa dhe raportet përfundimtare, ndërsa mandati i presidentit Ivanov është deri më 12 maj, kështu që nuk pres kurrfarë falje nga ana e tij”, tha kryeministri Zaev duke u përgjigjur pyetjes së gazetarëve pas ndarjes së mirënjohjes olimpikëve të Paraolimpiadës Sportive në Qeveri.

Njeriu i parë i Gjykatës Penale, Ivan Xholev dje në brifing me gazetarët informoi se Gjykata deri më tani nuk ka marrë kurrfarë kërkese për falje, as nga të akuzuar, e as nga të dënuar.

Xholev, në lidhje me shkrimet në media për falje të mundshme nga presidenti i shtetit, tha se nuk është mirë që Gjykata para kohe të prononcohet dhe të merr qëndrim për diçka.

“Presidenti i shtetit ka të drejtë që të fal dhe ky është fakt. Nëse sillet falje, Gjykata atëherë do të prononcohet dhe do të vlerësojë për të”, deklaroi Xholev.

Sipas ministres së Drejtësisë Renata Deskoska procedurë për pajtim mund të udhëhiqet vetëm përmes Ministrisë së Drejtësisë, ndërsa deri te ata deri më tani nuk kanë arritur kërkesa nga persona të dënuar për ngjarjet në Kuvend nga 27 prilli i vitit 2017.

Deskoska thekson se nuk ka mundësi ligjore që të udhëhiqet procedurë për amnisti nga ana e presidentit të shteti.

“Është fshirë neni 11 i Ligjit për falje i cili paraprakisht parashihte procedurë e tillë nga ana e presidentit, por edhe me vendim të ndërprerë të Gjykatës Kushtetuese në vitin 2016 ai nen nuk është “ringjallur”, gjegjësisht nuk ekziston në sistemin juridik të shtetit”, sqaron ministrja.

Pengesa e dytë, siç shton Deskoska, del nga fakti se janë shpallur zgjedhje presidenciale, ndërsa në këtë periudhë nuk mund të jepen falje.

“Ministria e Drejtësisë pasi janë shpallur zgjedhjet nuk dorëzon kurrfarë lëndë për falje deri te Kabineti i presidentit të shtetit. Në atë moment kur Komisioni Shtetëror Zgjedhor zyrtarisht do të shpallë se zgjedhjet kanë përfunduar do të mund të dërgohen kërkesa për falje deri te Kabineti i presidentit”, thotë ministrja e Drejtësisë.

Për dhunën në Kuvendin e 27 prillit të vitit 2017, më 15 mars të këtij viti me burg prej gjithsej 211 vite ishin dënuar 16 persona.

Dënimin më të lartë prej 18 viteve e mori ish ministri i Punëve të Brendshme dhe drejtor i BSP, Mitko Çavkov.

Mandati i presidentit aktual Gjorge Ivanov skadon më 12 maj të këtij viti. Pasardhësi i tij duhet të dihet pas zgjedhjeve presidenciale të cilat do të mbahen më 21 prill dhe 5 maj.