Në shtator rikonstruohet rruga e vjetër Shkup-Tetovë

Në fshatin Grupçin kanë filluar punët për rregullimin e rrugës që ka qenë e dëmtuar. Sipas kryetarit të Komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu rruga pritet që të përfundojë brenda dy jave, ndërsa është duke u rregulluar më të gjitha standardet.

Marketing

Ai ka njoftuar se gjatë periudhës që vjen, do të ketë një sërë investimesh në infrastrukturën rrugore në tërë territorin e komunës së Zhelinës. Në veçanti, ai ka përmendur se do të rikonstruohet rruga e vjetër Shkup –Tetovë.

“Për momentin ne jemi në fshatin Grupçin, në rikonstruimin e rrugës që është demoluar me vite të tëra. Është premtuar gatë kohë, dhe tani jemi këtu me banorët e këtij fshati, bashkërisht edhe t’i shohim punimet në teren, dhe për dy javë do të përmbyllet ky proces, të asfaltohet pra tërësisht, dhe ajo që na gëzon më shumë është se kjo rrugë bëhet me standarde më të mira që janë të mundshme në këtë kohë dhe qytetarët besoj që janë të kënaqur nga ky investim, pasi që me të vërtetë bëhet fjalë për një proces afatgjatë dhe stabilitet të infrastrukturës rrugore. Ne do të investojmë, pas kësaj do të fillojmë edhe me rrugën në fshatin Novosellë ku edhe atje do të nisim me punime shumë shpejt, dhe në fshatin Trebosh, Strimnicë, Llërc, fshatin Çiflik dhe rrugë lokale në mbarë territorin e komunës së Zhelinës, dhe në gjysmën e dytë të muajit shtator presim që të nisi edhe rikonstruimi total i rrugës rajonale që do të nis përmes Sarajit, përmes Grupçinit dhe do të përfundojë në Zhelinë”, deklaroi ai.

Ai ka paralajmëruar se në këtë komunë pritet të fillojë të ndërtohet një çerdhe qendrore.

“Do të fillojmë së shpejti me rikonstruimin e shkollës në fshatin Zhelinë, përmes projektit që ka të bëjë me efikasitetin energjetik, më pas do të bëhet fasadimi në fshatin Llërcë, pastaj edhe në Çiflik dhe Strimicë rikonstrium të shkollave, do ta rregullojmë nxehjen në Ozormishtë. Kemi shpresa se do të ndërtojmë një çerdhe qendrore për komunën e Zhelinës. E kemi përgatitur dokumentacionin dhe kemi prononcim zyrtar nga ana e Bankës Botërore se kemi fituar projektin, dhe së shpejti do të fillojmë me punët atje”, deklaroi Sejdiu.

Ndërkohë, Komuna e Zhelinës në bashkëpunim me Ndërmarrjen Publike “Rrugët e Maqedonisë” përfunduan me sanimin e gropave të rrugës rajonale Saraj-Grupçin-Zhelinë. Rruga rajonale ka një rëndësi të veçantë për Komunën e Zhelinës dhe Sarajit për arsyen se lidhë të gjitha vendbanimet e këtyre dy komunave.

Ky investim i Komunës së Zhelinës në bashkëpunim me Rrugët e Maqedonisë mundëson lëvizjen më të lirë të qytetarëve, sidomos në këtë periudhë që mërgimtarët tanë janë kthyer në vendlindje.

Marketing