Prokuroria Themelore Publike në Shkup dha urdhër për zbatimin e procedurës hetuese për shkak të dyshimit se një person ka kryer vepra penale ” prodhimtari e paautorizuar dhe lëshim në qarkullim i drogave narkotike, substanca psikotrope dhe prekusorë” dhe “përpunim i paautorizuar, mbajtje, ndërmjetësim dhe tregti me armë ose materie shpërthyese”.

“29 vjeçari i dyshuar, më 28 shtator, në vendbanimin e tij në rrugën ‘Branko Zarevski’ dhe në adresën në të cilën ka qëndruar palajmëruar në rrugën ‘Pariska’ në Shkup, pa autorizim për shkak të shitjes ka mbajtur drogë narkotike – mariuhanë të paketuar në qese, dy paketime celofani dhe një paketim të bardh najloni me masë të përgjithshme me neto masë të përgjithshme prej 29 gramë, 27 fara të bimëve të cilat i përkasin rendimentit të bimës – Cannabis, si dhe drogë narkotike – kokainë në dy paketime najloni me neto masë të përgjithshme prej 3,77 gramë. Gjatë kontrollit ishte gjetur edhe peshore digjitale me mbetje të kokainës. Ai pa leje kishte mbajtur edhe municion – 30 plumba me kalibër 6,35 të dedikuara për armë zjarri – pistoletë gjysme automatike”, njoftuan sonte nga Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Prokurori kompetent gjykatësit të procedurës paraprake nga Gjykata Themelore Penale Shkup, thuhet në kumtesë, ka dorëzuar propozim për përcaktimin e masës së paraburgimit për personin e dyshuar, sepse ekzistojnë rrethana të cilat tregojnë për rrezik nga fshehja gjegjësisht se do të arratiset dhe ekzistojnë rrethana të posaçme të cilat e arsyetojnë frikën se do ta përsërisë veprën penale.