Në UT u mbajt seancë e improvizuar gjyqësore

Në Universitetin e Tetovës, studentët e vitit të parë të studimeve të drejtësisë realizuan një seancë të improvizuar gjyqësore. Qëllimi i kësaj seance ishte përcjellja e mesazhit deri tek organet gjyqësore që t’i mbajnë larg duart nga padrejtësitë ndaj shqiptarëve.

Marketing

Studentët, nën udhëheqjen e Prof. Dr. Bashkim Selmanit, me këtë seancë u solidarizuan me të gjithë të dënuarit shqiptarë në raste të ndryshme të montuara  dhe vuajtjet e tyre të shkaktuara si pasojë e mosfunksionimit të drejtë të sistemit gjyqësor.

Profesori Bashkim Selmani apeloi deri te kompetentët që sistemi gjyqësor dhe ligjet të mos jenë bashkautorë në padrejtësitë kolektive dhe ato individuale, sidomos ndaj shqiptarëve. “Ne bashkërisht kemi ardhur në përfundim që të gjithë  prokurorët dhe gjykatësit, të cilët kanë qenë bashkautorë në të gjitha rastet e montuara ndaj shqiptarëve t’u pushohet vendi i punës; të shfrytëzohen mjetet e jashtëzakonshme, revizion gjyqësor për të gjithë shqiptarët, të cilët edhe sot e kësaj dite janë të dënuar me burg të përjetshëm;  si dhe të behët respektimi i Badinterit nga trupat gjykues për arsye se çdo vepër penale që është mbi pesë vjet heqje lirie, detyrimisht të ketë shqiptar dhe vetëm atëherë do të jemi në rrugën e drejtë, ngase deri tash gjyqësori në Republikën e Maqedonisë ka qenë jo i drejtë ndaj shqiptarëve” – tha Prof. Dr. Bashkim Selmani.

Dekani i Fakultetit Juridik, Prof. Dr. Qebir Avziu i falënderoi studentët dhe Prof. Dr. Bashkim Selmanin për realizimin me sukses të kësaj seance. Ai i motivoi ata që edhe në të ardhmen të jenë sa më të përkushtuar ndaj studimeve dhe të ndjekin shembullin e studentëve të vitit të tretë, të cilët nën udhëheqjen e Doc. Dr. Arta Bilallit, në garat ndëruniversitare shtetërore që u mbajtën në Shtip, e fituan vendin e parë si realizues më të mirë të një seance të improvizuar gjyqësore.