Në UT u prezantuan rezultatet e projektit “Elementi ynë kryesor” (Foto)

Në Universitetin e Tetovës, më 4 korrik 2019, u bë prezantimi i rezultateve të projektit “The main
element of us” (Elementi ynë kryesor), projekt i përbashkët i Universitetit të Tetovës, Universitetit
“Nisantasi” nga Turqia, Universitetit të Sofjes nga Bullgaria dhe  organizatës Adefis Juventud Internacional
nga Spanja.
                
Fillimisht, në ambientet e Rektoratit të Universitetit të Tetovës u realizua një takim i përbashkët mes
drejtuesve të Universitetit të Tetovës dhe drejtuesve të universiteteve nga Turqia, Bullgaria, si dhe
përfaqësuesve të organizatës spanjolle Adefis Juventud Internacional. Bashkëbiseduesit në këtë takim,
përveç që e përshëndetën realizimin e suksesshëm të projektit të përbashkët “Elementi ynë kryesorë”, ata
diskutuan edhe për thellimin e bashkëpunimit në të ardhmen, në sferën e kulturës, arsimit dhe kërkimeve
shkencore.      
Prorektori për Shkencë i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Hazir Pollozhani, e rikonfirmoi
angazhimin profesional dhe qasjen serioze të Universitetit të Tetovës që ka në përmbushjen e obligimeve
institucionale për të gjitha projektet me karakter kombëtar dhe ndërkombëtar. Siç u shpreh ai, ky
përkushtim dëshmohet me rezultatet konkrete që ne i kemi arritur në planin ndërkombëtar, duke u
shndërruar në institucionin kryesor – bartës i shumë projekteve, sikurse është edhe ky i sotmi, rezultatet e
të cilit flasin për sukseset tona të përbashkëta. “Në strategjinë e Universitetit tonë,  hulumtimet dhe studimet
shkencore i kemi radhitur si  prioritetin kryesor të veprimtarisë së këtij institucioni, andaj, sot ndjehemi
krenarë kur nga universitete prestigjioze ndërkombëtare dhe agjenci kredibile, Universiteti ynë përzgjidhet
bartës për realizimin e projekteve, po ashtu nga autoritete të njohura shkencore, UT konsiderohet si
institucion i përshtatshëm për zhvillimin e kërkimit dhe hulumtimit shkencor”, tha Prof. Dr. Hazir
Pollozhani.
 
Rektorja e Universitetit “Nisantasi” nga Republika e Turqisë, Prof. Dr.  Esra Hatipoglu e vlerësoi si
shumë të rëndësishëm këtë projekt, pasi që janë përcaktuar disa tema që kanë të bëjnë me organizimin
kulturor dhe rritjen e bashkëpunimit në sferën e arsimit kulturës dhe inovacioneve teknologjike. “Ne si
universitet japim maksimumin tonë në përgatitjen e studentëve për ndryshimet që ndodhin në botë, çdo
herë hasim në diskutime për arsimin në përgjithësi dhe shpesh theksojmë se arsimi nuk do të jetë valid në
qoftëse ne nuk do të përkushtohemi në ngritje të cilësisë dhe përgatitjen profesionale të kuadrit të ri. Synimi
ynë kryesor është që të përgatitemi për të gjitha sfidat të cilat na presin në këto çështje dhe të përpiqemi për
të qenë çdo gjë e sigurtë me diturinë e kufizuar që e kemi, të fillojmë të flasim për inteligjencën artificiale,
mbledhjen e të dhënave, përpunimin analitik dhe kompjuterizimin, si dhe çdo ditë e më shumë të flasim për
metoda të reja në arsim”, u shpreh Prof. Dr. Esra Hatipoglu.
 
Profesoresha Zeynep Birsu nga Universiteti “Nisantasi”, në pika të shkurtra bëri prezantimin e
 programit Erasmus Plus. Sipas saj, ky program nga viti në vit ndryshon me rritjen e mjeteve të cilat janë në
dispozicion për profesorët dhe studentët. “Aktualisht,  program Erasmus plus ndan mjete edhe për zhvillim,

Marketing

hulumtim, projekte për sipërmarrësi, me qëllim që të fuqizohet bashkëpunimi mes industrisë dhe
universiteteve. Krijimi i qendrës për partneritet strategjik është bërë shumë i rëndësishëm që të punohet me
sektorë të ndryshëm dhe se nga viti i ardhshëm do të ketë programe të reja të Erasmus plusit dhe sigurisht
që fondet për profesorët dhe studentët do të rriten edhe më shumë”, potencoi Prof. Dr. Zeynep Birsu.
 
Për projektin “Elementi ynë kryesor” foli koordinatori, Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar i
Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Arbër Çeliku. “Projekti është i konceptuar në atë mënyrë, jo vetëm për të
përfshirë anën arsimore shkencore, por të përfshijë edhe ndërtimin e urave të miqësisë dhe bashkëpunimit
ndërmjet kombeve. Elementi shumë i rëndësishëm i këtij projekti është se ne nuk e ndërpresim këtë projekt,
por ndërtojmë strategji të re për të ardhmen në një periudhë më të gjatë kohore dhe bashkërisht kemi
projektuar një program master në fushën e komunikimeve ndërkulturore dhe transkulturore. Sigurisht që
në këtë projekt mendojmë të përfshijmë edhe universitete nga Evropa, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe
se kompetencat e këtij projekti t’ia bartim Qendrës për Paqe dhe Menaxhim Transkulturor”, u shpreh Prof.
Dr. Arbër Çeliku.
 
Projekti “Elementi ynë kryesor” është mbështetur financiarisht nga Agjencia Nacionale për Edukim
Evropian dhe Mobilitet, si dhe Bashkimi Evropian, përmes programit ndërkombëtar Erasmus Plus.
 
Në shenjë mirënjohjeje dhe falënderimi për kontributin dhe angazhimin e tyre në këtë projekt,
Prorektori për Shkencë i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Hazir Pollozhani, Rektores së Universitetit
“Nisantasi”, Prof. Dr. Esra Hatipoglu dhe Sekretarit të parë të Ambasadës së Bullgarisë në vendin tonë,
Stanimir Gizdev, u ndau nga një dhuratë me portretin e humanistes shqiptare, Nënë Terezës.