Në UT u shënua Dita botërore e ushqimit

Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit i Universitetit të Tetovës edhe këtë vit e shënoi 16 tetorin, Ditën botërore të ushqimit. Dekani i këtij fakulteti, Prof. Dr. Xhezair Idrizi tha se manifestimi i kësaj dite ka për qëllim sensibilizimin e opinionit mbi rëndësinë e ushqimit dhe rolin e tij në shëndetin e individit. “Sot, ne e shënojmë ditën botërore të ushqimit, kjo ditë ka filluar të përkujtohet nga viti 1981 për çdo vit, kurse zanafillën e ka në vitin 1945, kur në qytetin Kebek të Kanadasë bashkohen disa shtete dhe e formojnë agjencinë, apo Organizatën Botërore të Ushqimit. Qëllimi i aktivitetit të sotëm është sensibilizimi i politikëbërjes dhe i shumë organizatave të tjera, që një pjesë e ushqimit të mos keqpërdoret, ngase sot në botë kemi dy kategori njerëzish; njëra pjesë e ndjen mungesën e ushqimit, ndryshe e quajtur si mosushqyerje, kurse pjesa tjetër ka tepricë të ushqimit, ose siç e quajmë ndryshe, kequshqyerje”, tha Prof. Dr. Xhezair Idrizi.

Veç kësaj, dekani i Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit, Prof. Dr. Xhezair Idrizi tha se këtë vit fakulteti që ai drejton, në bashkëpunim me Fondacionin Albiz, kanë arritur të sigurojnë disa pako me ushqime për raste të ndryshme sociale. “Ne kemi siguruar 50 pako ushqimore, të cilat do t’i shpërndajmë bashkë me studentët tonë në raste të ndryshme sociale, për këtë i jemi shumë mirënjohës Fondacionit Albiz, për këtë kontribut të tyre, njëkohësisht apelojmë deri te të gjitha institucionet shtetërore, duke filluar nga qeveria, ministritë, komunat, bashkësitë fetare, organizatat e ndryshme, por edhe te restaurantet që t’u dilet në ndihmë njerëzve në nevojë, që edhe ata të mos e ndjejnë mungesën e ushqimit”, shtoi mes tjerash Prof. Dr. Xhezair Idrizi.

Sekretari Shtetëror në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, z. Nefruz Çeliku, tha se në bazë të të dhënave të fundit, në Republikën e Maqedonisë së Veriut rreth 450 mijë njerëz janë në rrezik nga varfëria dhe uria, kurse në të njëjtën kohë hidhen rreth 10 mijë ton ushqim çdo vit, me vlerë rreth 12 milion euro. “Qeveria në programin e saj ka për qëllim të bëjë zgjidhje legjislative dhe ndryshime ligjore për ta rregulluar dënimin e keqpërdorimit të ushqimit në të gjithë vendin, ku për momentin vendi ynë për fat të keq është i numëruar në vendet ku jo çdo qytetar ka ushqim të mjaftueshëm për ta ushqyer veten dhe familjen”, theksoi z. Nefrus Çeliku.

Për nder të Ditës botërore të ushqimit u mbajt edhe një ligjëratë e shkurtër profesionale nga Doc. Dr. Merije Elezi, me temë: “Zero uri”, ndërsa në shenjë falënderimi për mbështetjen dhe bashkëpunimin me Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit, Universiteti i Tetovës, Fondacionit Albiz i ndau një mirënjohje.

 

Image may contain: one or more people and indoor
Image may contain: 2 people
Image may contain: 22 people, people smiling, people sitting
Image may contain: 4 people

 

evn