Negociata për përbërjen e re, Musliu: Nuk do të ketë zvarritje, në shtator qeveria e re

Vendi do ta presë shtatorin me qeveri të re, kështu beson analisti politik, Albert Musliu, teksa të gjitha subjektet politike që kanë siguruar mandate në kuvend nuk kanë përjashtuar mundësinë e të qenit pjesë e shumicës së re parlamentare. Në këtë drejtim, sipas Musliut, klasa politike inkurajim mund të marrë edhe nga faktori ndërkombëtar.
“Ngase kishte pozita të ndryshme gjatë kampanjës parazgjedhore lidhur me dokumentet ndërkombëtare dhe marrëveshje ndërkombëtare të cilat Maqedonia i ka nënshkruar dhe duhet t’i implementojë, besoj se edhe faktori ndërkombëtar do të tregojë interesim, por mund edhe t’i inkurajojë palët  që procesi i zgjedhjes së qeverisë së re mos e zgjasin në mënyrë shumë të gjatë. Nga ana tjetër besoj se mandatari do të arrijë ta formojë shumicën jo edhe pas bisedimeve aq të gjata sa përfolet, por ajo procedurë do të kryhet më shpejt sa që e kishim vitin 2016, ashtu që besoj se para shtatorit mund të kemi edhe qeverinë e re.”,- tha analisti politik, Albert Musliu.
Musliu nuk beson se procesi i krijimit të shumicës së re mund të zvarritet, mbase sipas tij kjo shumicë mund të jetë më e gjerë.
“Besoj se intencat, tendencat janë shumica të jetë më e gjerë, të mos jetë shumicë e ngushtë, por ajo gjithë varet prej bisedave a do të merren vesh a do të ketë ndonjë kompromis apo nuk do të ketë ndonjë kompromis por gjithsesi nuk jam prej atyre që besojnë se negociatat do të zvarriten.”,- theksoi analisti politik, Albert Musliu.
Zgjedhjet e 15 korrikut prodhuan rezultate të ngushta midis forcave politike duke mos i krijuar kështu rrethana të lehta veprimi asnjërës palë. Ndërkohë të gjitha partitë politike thonë se janë në kontakt midis tyre por pa zbuluar detaje rreth bisedimeve.