Negociatat për PSP-në vazhdojnë të hënën

Menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve presidenciale, pushteti dhe opozita pritet që t’u rikthehen bisedimeve për ligjin e ri të prokurorisë me të cilin pritet të zgjidhet edhe fati i Prokurorisë Speciale Publike. Këtë e paralajmëroi zëvendës kryeministri për euro integrime, Bujar Osmani, i cili është optimist se edhe marrëveshja mund të arrihet deri më 29 maj kur Maqedonia e Veriut pret rekomandim dhe datë të saktë për hapjen e bisedimeve me BE-në, nga raporti i Komisionit Evropian. Osmani tha se gjatë kësaj periudhe ka pasur kontakte mes palëve dhe disa qëndrime tanimë janë përafruar.

Marketing

“Ne kemi rrumbullaksuar pothuajse të gjitha pikat që duhej ti përmbushim para raportit të KE-së. Ka mbetur një çështje pa mbyllur, çështja e ligjit për prokurori e cila për shkak të zgjedhjeve edhe u shty një periudhë, por edhe gjatë kësaj periudhe një komunikim bazik ndërmjet palëve është mbajtur dhe disa qëndrime bile edhe janë përafruar. Unë mendoj që prej ditës së hënë kur të përfundojnë zgjedhjet menjëherë do të riaktualizohet debate ndërmjet pozitës dhe opozitës dhe unë jam optimist që deri më 29 maj do të gjejmë një zgjidhje për tekstin e ligjit për prokurorinë”, deklaroi Bujar Osmani, zëvendës kryeministër.

Në bisedimet për fatin e PSP-së janë kyçur edhe liderët e dy partive më të mëdha, ai i LSDM-së, Zoran Zaev dhe VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickovski. Gjatë periudhës së kaluar ka pasur disa deklarata optimiste, por dy partitë më të mëdha edhe më tej mbeten të ndara për çështjet kyçe rreth kësaj teme. LSDM insiston që PSP të jetë institucion I pavarur, ndërsa VMRO-DPMNE e sheh si repart të veçantë në kuadër të Prokurorisë për luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Opozita maqedonase kërkon poashtu që bombat të mos përdoren si argument, ndërsa të gjitha lëndët e hapura pas qershorit të vitit 2017 të mbyllen dhe prokurorët që kanë hapur këto lëndë të mbajnë përgjegjësi. Nga LSDM thonë se për fatin e lëndëve të procesuara duhet të vendosin prokurorët dhe jo politikanët.

Marketing