Nëndetësja indoneziane me 53 persona në bord zhduket në ujërat e ishullit Bali

Ushtria indoneziane është duke kërkuar një nëndetëse e cila është zhdukur në veri të ishullit të Balit, me 53 persona në bord, ka bërë të ditur ushtria të mërkurën.

Kreu ushtarak, Hadi Tjahjanto ka thënë se nëndetësja “KRI Nanggala 402” po kryente një ushtrim trajnues kur ishte humbur kontakti me të.

Nëndetësja besohet të jetë zhdukur në ujërat në thellësi rreth 95 kilometra në veri të Balit. Tjahjanto ka thënë se ushtria ka lëshuar disa anije për të bërë kërkime në zonën ku mendohet se është zhdukur nëndetësja. Ai po ashtu ka thënë se kanë kërkuar ndihmë nga Singapori dhe Australia të cilat posedojnë anije shpëtuese.

Marketing

Mediat lokale kanë raportuar se dyshimet janë që nëndetësja është fundosur në një thellësi prej 700 metrash.

Ministria e Mbrojtjes ka thënë përmes një komunikate për media se nëndetësja e prodhuar në Gjermani dhe e cila shërben në Indonezi që nga viti 1981 ka humbur kontaktet pasi iu dha leja për zhytje.

Indonezia aktualisht ka pesë nëndetëse mirëpo planifikon që deri në vitin 2024 të shtojë numrin e tyre duke e quar në të paktën tetë sosh.

Marketing