Nënshkrimi i Memorandumit mes Qeverisë së RMV dhe Korporatës Financiare Ndërkombëtare

Strategjia 4 vjeçare e bashkëpunimit në mes Republikës së Maqedonisë Veriore dhe Bankës Botërore, ku do të zbatohen projekte me vlerë 420 milionë dollarë, do të intensifikojë rritjen ekonomike të vendit. Në kuadër të Strategjisë, Ministria e Financave sot nënshkroi një Memorandum Mirëkuptimi me Korporatën Financiare Ndërkombëtare IFC dhe me SECO, për zhvillimin dhe zbatimin e Projektit të Industrisë së Lehtë për Europën Juglindore.

Marketing

Ky projekt do të ndihmojë në përmirësimin e konkurrencës së furnizuesve në rajonin e Europës Juglindore si dhe në rritjen e integrimit të tyre në eurozonë, kështu vlerëson zëvendës ministrja e financave Shiret Elezi.

Takimi u mbajt në kuadër të përvjetorit të FMN-së dhe Bankës Botërore, kurse zëvendës ministrja e financave thekson se brenda kësaj Strategjie, 70 milion euro do të investohen në rrugë lokale, 26 milion euro për të përmirësuar transportin dhe tregtinë në Ballkanin Perëndimor, ndërsa 25 milion euro do të investohen në efikasitetin e energjisë.

Elezi thotë se politikat që synojnë ruajtjen e rritjes gjithëpërfshirëse do të gjenerojnë rritje të produktivitetit dhe do të rrisin standardin e jetesës së qytetarëve,

“Është gjithashtu e rëndësishme këtu që mbështetja që kemi pranuar nga Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC) brenda kuadrit të Strategjisë së Partneritetit me Bankën Botërore është dëshmi e nënshkrimit të sotëm të Memorandumit të Mirëkuptimit për zhvillimin dhe zbatimin e Projektit të Industrisë së Lehtë të Evropës Juglindore, të cilin e përfundojmë me IFC dhe SEKO”, theksoi mes tjerave zëvendës ministrja Elezi.

Projekti, shton ajo, pritet të inkurajojë krijimin e vendeve të reja të punës duke ofruar produkte më konkurruese, të integruara dhe me vlerë më të madhe të shtuar për kompanitë vendase. Memorandumi do të përcaktojë aktivitetet e ardhshme që synojnë përmirësimin e konkurrencës së kompanive vendase në sferën e industrisë së automobilave, prodhimin e makinerive dhe prodhimin e pajisjeve elektrike.