Shoferët e Maqedonisë në Gjermani në rast të një aksidenti me makinë do të jenë në gjendje të kompensojnë më shpejt dhe në mënyrë më efikase dëmin, me Marrëveshjen për Mbrojtjen e vizitorëve të nënshkruar nga Byroja Kombëtare e Sigurimeve të Maqedonisë dhe Zyra Gjermane për kartonin e gjelbër.

Marrëveshja, e cila vlen edhe për shoferët gjermanë në rast aksidenti në Maqedoni, hyri në fuqi më 1 shtator.

Marrëveshja parashikon që personi i dëmtuar, i cili ka pësuar dëme në territorin e vendit tjetër, me kthimin e tij në vendin e origjinës, të kontaktojë zyrën e tij kombëtare të sigurimit, e cila në bashkëpunim me zyrën e vendit ku ndodhi aksidenti do të mundësojë grumbullimin më të shpejtë të dokumenteve dhe informacioneve të nevojshme për sigurimin e të drejtave për kompensim.

Nga Byroja Kombëtare e Sigurimeve thonë se Marrëveshja për Mbrojtjen e vizitorëve është projektuar për t’i siguruar vendeve jashtë BE-së mundësinë për të siguruar mbrojtje dhe asistencë shtesë për qytetarët që udhëtojnë me automjete në territorin e vendeve të tjera.

Marrëveshje të tilla Maqedonia ka nënshkruar edhe me zyrat kombëtare të Greqisë, Turqisë, Zvicrës, Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi, Luksemburgut, Serbisë, Kroacisë, Bullgarisë, Sllovenisë dhe Shqipërisë.