Nëntë fosile njeriu Nandertali zbulohen në shpellën e lashtësisë në Itali

Mbetjet e fosilizuara të nëntë njerëzve të Nandertalit, siç njihet ndryshe specia më primitive e njeriut, janë zbuluar sot në një shpellë në Itali, njoftoi ministria italiane e kulturës.

Të gjithë individët e zbuluar në shpellën Guattari në San Felice Circeo, në bregdetin mes Romës e Napolit, ishin të rritur, përveç njërit që dukej se ishte i ri.

Marketing

Fosilet besohet se datojnë prej 50,000 deri në 68,000 vjetëve më parë, teksa më i vjetri mund të datojnë deri në 90,000 apo 100,000 vjet më parë, thuhet në deklaratën e ministrisë.

“Së bashku me dy të tjerë të gjetur aty në të kaluarën, numri total i individëve të gjetur në shpellën Guattari arrin në 11, duke e konfirmuar atë si një prej vendeve më të rëndësishme të historisë së njeriut të Nandertalit”, thuhej në deklaratë.

Ministri i kulturës Dario Franceschini ngriti lart zbulimin si diçka “e jashtëzakonshme për të cilin do të flasë e gjithë bota”.

Francesco Di Mario, drejtuesi i projektit të gërmimit, tha se kjo tregon se popullata e Nandertalëve do të ketë qenë shumë e madhe në zonë.

Antropologu vendas Mario Rubini tha se zbulimi “hedh drite të rëndësishme në popujt e lashtë të Italisë”.

“Nandertali është faza thelbësore e zhvillimit të species sonë në atë që jemi sot, si maja e specieve dhe krijuesit e parë të shoqërisë së organizuar”, tha ai.

Zbulimet vijnë pas kërkimeve të nisura prej vitit 2019 në shpellën Guattari, e cila është zbuluar aksidentalisht nga një grup punonjësish në shkurt 1939.

Shekuj më parë shpella kishte qenë mbyllur nga një rrëshqitje e lashtë toke, duke ruajtur brenda saj pamje të paprekura të kohës së ekzistencës, dhe tashmë dalëngadalë po shfaq sekretet e saj.

Gërmimet e fundit kanë nxjerrë në dritë dhe qindra kocka kafshësh, kryesisht hijenash  apo kafshë të tjera predatore që sillnin në shpellë ushqimin për ta ngrënë ose ruajtur.

Marketing