Nëntë të infektuar me koronavirus, shëndetësia pa pushime, lajmet e rreme do të ndiqen penalisht

Nëntë persona është numri i fundit zyrtar për të infektuar me koronavirus në vend. Testime dje janë bërë ndaj 12 personave të rinj, nga të cilët dy janë pozitivë, ndërsa për të tjerët priten rezultatet. Masat që i solli Qeveria po zbatohen. Nxënësit dhe të sëmurit kronikë nuk shkojnë në shkollë dhe në punë. Punonjësit shëndetësorë nuk guxojnë të shfrytëzojnë pushime. Për lajmet e rreme do të ketë përndjekje penale. Në nivel botëror është shpallur pandemi.

Marketing

Rastet e fundit pozitivë nga dita e djeshme janë nga Dibra të cilët janë fqinjë të tre dibranëve që u hospitalizuan paraprakisht të infektuar me këtë virus. Shtatë pacientë me koronavirus janë me pasqyrë të lehtë klinike, marrin frymë vetë pa makinë për ventilim.

Në kufijtë ka kontrolle të përforcuara, gjatë hyrjes dhe daljes nga shteti veçanërisht kontroll ndaj transportit me autobusë. Përveç shkollave rekomandimi është që të ndërpresin me punë edhe bibliotekat, konviktet për nxënës dhe studentë në 14 ditët e ardhshme. Të mos mbushen këndet për fëmijë, jashtë të mos ketë grupe të mëdha të fëmijëve në distancë të vogël.

“Qëllimi është që të secili të qëndrojë në shtëpi, anash, grupe të vogla të fëmijëve është në rregul, është mirë të jenë në ajër të pastër, tani janë temperaturat më të larta, por të shmangen grupet e mëdha”, ka thënë ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe.

Në këtë periudhë, sipas rekomandimeve, të gjithë personat e punësuar në sektorin shëndetësorë nuk duhet të shfrytëzojnë pushime vjetore, pushime me dhe pa pagesë.

Masat dhe rekomandimet nuk vlejnë për personat e punësuar në Ministrinë e Punëve të brendshme, Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Mbrojtjes, Armatën e Republikës së Maqedonisë së veriut, njësinë territoriale kundër zjarreve, Drejtorinë doganore, si dhe shtëpitë për kujdesin e personave të moshuar dhe shtëpitë e vogla grupore të përjashtohen nga të gjitha konkludimet, masat dhe rekomandimet e Qeverisë.

Sipas rekomandimeve, MPB-ja do të ndërmarrë masa adekuate për të gjitha këto persona të cilët përmes mediumeve sociale publikojnë dezinformata (të pavërteta) në këtë temë, si dhe për mediumet të cilat i transmetojnë këto informacione.

“Lajmet e rrejshme të cilat krijojnë panik të pabazë dhe që kanë pasoja afatgjata edhe mbi gjendjen shoqërore por edhe mbi shëndetin kolektiv të qytetarëve. Keqpërdorimet e tilla do të sanksionohen me ligj pasi në këtë mënyrë shqetësohen qytetarët dhe krijohet panik i panevojshëm. Nuk do të ketë kompromis në sanksionimin e atyre të cilët në mënyrë të pandërgjegjshme përhapin lajme të rrejshme”, thonë nga MPB.

U bëjmë apel, shtojnë, mediave dhe shfrytëzuesve të rrjeteve sociale të thirren vetëm në të dhënat e publikuara zyrtarisht prej institucioneve kompetente.

Të gjitha informacionet e kontrolluara dhe zyrtare, sipas sugjerimit të Qeverisë, do t’i transmetojnë MEDIAL dhe NP Radio Televizioni i Maqedonisë.

Në bazë ditore NP Radio Televizioni i Maqedonisë dhe SHA MEDIAL do t’i publikojnë të gjitha konkludimet, masat dhe rekomandimet e miratuara nga Qeveria për parandalim nga përhapja e sëmundjes si dhe konferenca për shtyp në këtë temë.

Marketing