Nepotizmi, kush janë fëmijët dhe familjarët e punësuar të funksionarëve shtetëror në Maqedoni?!

Besiana Xhaferi, Viktor Stojçevski, Vlora Bekteshi, Dimitar Grçev, Hidajete Alili-Ademi, janë disa nga të punësuarit e rinj në ndërmarrjet shtetërore energjetike ELEM dhe MEPSO. Nëse iu tingëllojnë mbiemrat si të njohur, e para është vajza e Kryeparlamentarit Talat Xhaferi; Viktori djali i deputetes së LSDM, Mira Stojçevska; Hidajetja motra e Ministrit Asaf Ademi; Dimitari, djali i funksionarit Mirosllav Grçev; dhe Vlora, motra e Ministrit Kreshnik Bekteshi. Këto punësime familjare kanë nxitur një valë reagimesh e akuzash për nepotizëm. Alsat mëson jo zyrtarisht se përveç kualifikimeve, për tu punësuar iu është dashur edhe një intervenim nga lart.

Marketing

Deputetja e LSDM-së, Mira Stojçevska mohon çdo implikim apo ndikimin politik në këtë çështje. “Djali im ka aplikuar në konkursin publik të shpallur nga ELEM dhe është zgjedhur sipas kualifikimit, përvojës dhe profesionit deficitar”- tha Mira Stojçevska, deputete e LSDM-së.

Nga opozitarja VMRO-DPMNE akuzojnë funksionarët e pushtetit se ndërmarrjet shtetërore i kanë shndërruar në ente punësimi të rezervuara për të afërmit e zyrtarëve nga LSDM dhe BDI.

E nderuara Mira, a është e vërtetë se përveç Viktorit, djalit tuaj të punësuar në ELEM, përmes një Agjencisë për punësim të përkohshëm , është pranuar edhe vëllai yt si bravandreqës të kryer me shkollë të mesme? Ja edhe shansi për Mira Diesel Stojcevska që ta thërrasë vëllain e saj dhe ta pyes nëse edhe ai është i angazhuar në ELEM, përkatësisht në REK Bitola?”- theksoi Dimçe Arsovski, Zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

Së fundmi, reagime ka nxitur edhe emërimi i baxhanakut të Talat Xhaferit, Nuri Bajrami anëtar në Komisionin për Parandalimin e Korrupsionit. Nga kjo e fundit thonë që deri më sot nuk ka pasur asnjë kallëzim apo ankesë, por do të shqyrtojnë rastet nëse ka nepotizëm në punësimet e fundit.

Përbërja e re nesër do të mbaj seancën e parë, ku do të vendos për hapat e mëtutjeshëm, duke shqyrtuar mundësitë ligjore, nëse ka shkelje eventuale gjatë këtyre punësimeve”- pohoi Biljana Ivanovska, kryetare e Komisionit Anti-Korrupsion.

Ish-anëtar i Komisionit, Arif Musa thotë se Anti-Korrupsion primare e ka zbatimin e Ligjit për konfliktin e interesave. Ai thotë se ka bazë ligjore për të eliminuar nepotizmin në punë të shtetit.

Atje ku kemi nepotizëm, duhet Komisioni ta rishqyrtoj dhe si sugjeroj institucionit përkatës që ta rihap edhe njëherë konkursin për emërimin apo përzgjedhjen e kandidatëve të fushave përkatëse. Baza kryesore është implikimi i politikës që ndikon familjarizmat në institucionet publike”- tha Arif Musa, ish-anëtar i Komisionit Anti-Korrupsion.

Dje, Ministri i Administratës Damjan Mançevski, tha se nuk është çudi që cili do simpatizues i këtij pushteti të punësohet edhe në institucionet publike, me që sipas tij, për 10 vjet anëtarët e LSDM-së e kishin të pasur të ndaluar të punësohen në sektorin publik dhe në atë privat. Lidhur me këto punësime nga ELEM thonë se kandidatët kanë plotësuar kushtet, duke respektuar të gjitha procedurat ligjore./Alsat-M

Marketing