Qeveria përgatiti propozim-ligj për dy anekse të reja të marrëveshjes për autostradën Kërçovë- Ohër. Deputetët nesër duhet të prononcohen reth propozimit i cili sipas qeverisë, siguron lirim të 205 milionë eurove nga kredia kineze.

Me këto para do të vazhdojë ndërtimi i këtij aksi rrugor, ndërsa kompanive ndërtimore të vendit që janë nën-realizues të projektit do u paguhen borxhet e grumbulluara që shkojnë me dhjetëra milionë euro. Por sa do kushtojë ndërtimi i kësaj autostrade do dihet pasi të përfundojnë punimet. Çmimet e reja me të cilat do të ndërtohet, qeveria do t’i publikojë më 10 tetor.

Nga ajo që e kishim si evidencë çmimet që janë paguar nga kompanitë tona ndaj Sinohidro, e më pas për të gjitha ato punë ku kanë punuar nën-realizuesit që Sinohidro i ka paguar ndaj nën-realizuesve nga Maqedonia, mesatarisht ka dallim në çmim prej 56%. Kjo është bërë kështu në marrëveshjen bazë, ndërsa ne këtë nuk mundemi ta vazhdojmë”- u shpreh Koço Angjushev, zëvendëskryeministër i ekonomisë.

Analiza e detajuar e ekspertëve të huaj dhe nga vendi për gabimet gjatë realizimit të projektit kanë treguar se do duhet të ndërtohen ura të reja, viadukte, nëntë unaza dhe rrugë të reja lokale të cilat fshatrat përreth do i lidhin me autostradën. Problem më i madh është konstatuar në ndërtimin e tunelit.

Me këto dy anekse vlerësojmë se do zgjidhet problemi, dhe e dyta, e dini se PSP zhvillon proces kundër këtij rasti. Ne të tre këtu si më përgjegjësit dhe propozues të këtyre anekseve, në mënyrë transparente do të tregojmë çdo denarë ku është shpenzuar dhe ku janë shfrytëzuar të gjitha paratë”- tha Goran Sugarevski, ministër i transportit dhe lidhjeve.

Autostrada Kërçovë-Ohër filloi të ndërtohet para katër viteve. Fillimisht ndërtimi i autostradës ishte planifikuar të kushtojë 400 milionë euro. Afati i ri për përfundimin e ndërtimit është mesi i vitit 2021. Ekspertët kanë frikë se në fund mund të kemi autostradën më të shtrenjtë të ndërtuar.

Dilemat te njohësit e çështjeve janë, pse aktivitetet ndërtimore u ndërprenë gjatë gjithë verës, ndërsa ministri i transportit paralajmëron ofensivë ndërtimore në pjesën e dytë të vitit, gjegjësisht gjatë muajve të dimrit të bëhet realizimi i investimeve kapitale.