Nesër konsituohet Kuvendi, nisin afatet për formimin e Qeverisë

Nesër në orën 11:00 do të mbahet seanca konstitutive e përbërjes së re parlamentare ku edhe zyrtarisht deputetët do të japin betimin dhe do të marrin detyrën e re, transmeton Shenja.

Marketing

Mbetet ende e pasigurt se kush do ta hap dhe udhëheqë seancën konstituive deri në zgjedhjen e kryetarit të ri. Rregullorja e Kuvendit, përparësi për mbajtjen e seancës konstituive i jep kryetarit të deritanishëm, por ka paraparë edhe situata të tjera nëse nuk do të jetë në gjendje Talat Xhaferi.

Rregullorja e Kuvendit

“Sipas nenit 9 të Rregullores së Kuvendit, nëse seancën e parë nuk e thërret kryetari, seanca mbahet në ditën e 21 pas përfundimit të zgjedhjeve, në ora 10:00, ndërsa e thërret deputeti më i vjetër me moshë, nëse edhe ai refuzon ta thërret, kjo e drejtë i kalon deputetit tjetër me radhë sipas viteve që është zgjedhur deputet, deri te deputeti i zgjedhur që do të pajtohet ta thërret seancën”.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare sipas rezultateve finale të KSHZ-së, në përbërjen e re parlamentare LSDM do të ketë 46 deputetë, VMRO-DPMNE-44, BDI-15, Koalicioni ASH-AAA-12, E Majta-2 deputetë dhe PDSh një deputet.

Pas seancës konstituive pasojnë procedurat për formimin e Qeverisë së re. Sipas Kushtetutës, pas konstituimit të Kuvendit, Presidenti i shtetit në afat prej 10 ditësh duhet t’ia ndajë mandatin për formimin e Qeverisë, partisë apo partive që kanë shumicë. Mandatari ka afat 20 ditë që ta formojë Qeverinë dhe nëse nuk e arrin një gjë të tillë, atëherë mandati i kalohet partisë së dytë me më së shumti mandate në zgjedhje.

Marketing