Nesër në Shkup zhvillohet shfaqja për jetën e Abdulhamitit të Dytë

Shfaqja teatrore “Usta” në të cilën rrëfehet jeta e Sulltan Abdulhamitit të Dytë, në organizim të Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) në Maqedoninë e Veriut dhe Lidhjës së Organizatave Joqeveritare Turke (MATUSITEB) do të luhet nesër në Shkup, raporton Anadolu Agency (AA).

Marketing

Me rastin e shfaqjes, aktori turk Ridvan Dağlar, i cili e luan rolin e Sulltan Abdulhamitit, koordinatori i TIKA-s në Shkup, Aytekin Ayden, si dhe Zülfü Demirtaş, aktor teatri në Qendrën Artistike “Yenilmez” nga Turqia, sot mbajtën konferencë të përbashkët shtypi.

Aktori Ridvan Dağlar, duke falënderuar TIKA-n për atë që mundësoi që kjo shfaqje të luhet në vendet ballkanike, tha se është një kënaqësi e madhe që këtu të takohen me entuziastët e artit teatror.

“Shpresoj se nesër mbrëma adhuruesit e artit teatror do t’i çojmë në kohën e Sulltan Abdulhamitit. Do t’ju japim informata për sulltanin, për dramat që ka përjetuar në atë kohë dhe për animin e tij ndaj artit”, tha aktori Dağlar.

Duke theksuar se në shfaqje do të jepen informata për shërbimet dhe veprat e tij në hapësirën ballkanike, koordinatori i TIKA-s në Shkup, Aytekin Ayden, tha se Sulltan Abdulhamiti krahas asaj që ka qenë sulltan i mirë, po ashtu ka qenë edhe artist i madh.

“Sulltan Abdulhamiti ka qenë një sulltan i madh i cili shumë mirë ka ditur të interpretojë periudhën në të cilën ka jetuar, mirë e ka kuptuar Perëndimin, ndërsa mirë ka interpretuar edhe botën. Ai, krahas asaj që ka qenë gjeni në politikë, doemos duhet të theksoj se ka qenë edhe artist, e këtë do ta shohim edhe në shfaqje. Siç thotë historiani Ilber Ortaylı, Sulltan Abdulhamiti nuk ka qenë sulltan, por artist i klasit botëror dhe po ashtu edhe brend”, theksoi Ayden.

Ndërkaq, Demirtaş, aktor teatri në Qendrën Artistike “Yenilmez” dhe artist i muzikës në Korin Muzikor të Stambollit pranë Ministrisë së Kulturës së Republikës së Turqisë, tha se vitin e kaluar arritën rekord botëror në luajtjen e shfaqjes.

“Ne në vitin 2018, mes 11 janarit dhe 11 majit, shfaqjen e luajtëm në 81 komuna në 100 vende të Turqisë dhe në këtë mënyrë arritëm një rekord botëror”, tha Demirtaş.

Shfaqja teatrore “Usta”, skenarist dhe regjisor i së cilës është aktori i njohur teatror Ahmet Yenilmez, do të zhvillohet nesër në Pallatin e Armatës në Shkup, me fillim në ora 19:30.