Një ditë para përmbylljes së kontrollit publik të të dhënave në Listën e Zgjedhësve, të dhënat personale kanë kontrolluar 4466 persona.

Numri më i madh i qytetarëve që kanë kryer kontroll është shënuar në Manastir, gjithsej 428 persona. Vijon Strumica me 420 qytetarë që i kanë kontrolluar të dhënat personale, në Karposh 375, Radovish 240 dhe Ohër 235. Në Tetovë janë regjistruar 55 qytetarë, ndërkaq në Çair 42. Më së paku të evidentuar për kontroll janë vërejtur në Strugë, vetëm 15 qytetarë. Nga KShZ rikujtojnë qytetarët për skadim të afatit nesër.

“Këqyrja e të dhënave në Listën Zgjedhore do të zgjasë edhe nesër, e enjte, 23 gusht, ku do të mund që të dorëzohen kërkesat për regjistrim, ndryshim ose fshirje të të dhënave në Listën e Zgjedhësve”,- thonë nga KShZ.

Sa i përket procesit të paraqitjes për votim në Diasporë, nëpërmjet aplikacionit online janë dorëzuar 2060 paraqitje për votim në përfaqësitë diplomatike dhe konsulare të Maqedonisë. 2019 paraqitje janë pranuar, 38 janë refuzuar, ndërkaq të tjerat po përpunohen. Numri më i madh i paraqitjeve për votim janë dorëzuar në Lubjanë 172, Londër 114, Toronto 111, Kanbera 88 e kështu me radhë.

Numri më i ulët i të interesuarve për të votuar, nga një, janë regjistruar në Kiev dhe Prishtinë, ndërkaq në Nju Delhi, Kajro dhe Doha nga dy paraqitje. Votimi në diasporë do të realizohet më 29 shtator, vetëm në përfaqësitë diplomatike dhe konsulare, ku janë pranuar së paku 10 paraqitje për votim.